Në konferencën e organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, diskutoi me përfaqësues të biznesit për sfidat dhe mundësitë e zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe për rolin vendimtar të diasporës në forcimin e ekonomisë dhe mbështetjen e bizneseve vendore.
Haradinaj theksoi se sipërmarrësit janë shtylla e ekonomisë së Kosovës, duke krijuar vende pune, duke mbajtur familje dhe duke dhënë shpresë përmes punës dhe investimeve të tyre.
Ai u shpreh se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qëndruar gjithmonë krah bizneseve, duke vlerësuar se nuk mund të ketë shtet të fortë pa ekonomi të fortë dhe pa mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorin privat.
Duke prezantuar orientimet e programit për zgjedhjet e ardhshme, Haradinaj tha se fokusi kryesor do të jetë fuqizimi i ekonomisë vendore, lehtësirat fiskale, digjitalizimi dhe krijimi i një klime më të favorshme për investime të huaja. Ai theksoi se ky program do të zbatohet në qeverisje me kandidatin për Kryeministër, Ardian Gjini.
Në fjalën e tij, Haradinaj nënvizoi gjithashtu se siguria mbetet parakusht për zhvillim ekonomik, duke theksuar se anëtarësimi në NATO është objektiv strategjik për një Kosovë më të sigurt dhe më atraktive për investime.
Ai veçoi edhe rolin e diasporës dhe bizneset shqiptare në botë, duke i cilësuar si ura lidhëse me tregjet dhe përvojat ndërkombëtare, të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Bashkëpunimi me diasporën dhe bizneset është rruga që e çon Kosovën përpara,” u shpreh Haradinaj.