Kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë vizitë në Gjilan, ka mbajtur një takim me këshilltarët komunalë, dhe me personalitete të shquara të kësaj komune.
Para tyre, ai u zotua se do të mbështesë projektet kapitale të rëndësishme për këtë komunë. Mes tjerash, Haradinaj, tha se Qeveria do të marrë në përgjegjësi shpronësimet për rrugët me interes publik, raporton Ekonomia Online.
“Qëllimi është qe disa tema që kalojnë kapacitetin e komunës janë angazhim i përbashkët deri të zbatimi i tyre. Për ato tema që komuna i ka në kapacitet të vetin, nëse ne vonohemi vonohet zbatimi”.
“Ne kemi plot projekte para nesh, janë marrë obligimet për auto-rrugën që kalon nëpër territorin e Gjilanit. Do të angazhohemi të mbështesim projektin impiantin e ujërave të zeza”.
“Qeveria do të hyjë në obligime financiare, puna e kolektorëve mund të zgjidhet me financimin austriak, shpronësimet për qarkore në Gjilan. Qeveria duhet t’i marrë përgjegjësitë për këto shpronësime për infrastrukturë që është në interes publik”.
Mes tjerash, Haradinaj kërkoi angazhim të shtuar të të gjithëve që testi PISA të dalë sa më i suksesshëm.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, e shfrytëzoi këtë takim që të paraqesë para kreut të ekzekutivit kërkesa ndaj Qeverisë për financim të projekteve e probleme të tjera.
“Jam i nderuar që këtë vizitë me i dhënë karakter historik flakës së janarit, Gjilani ka besim se do të arrijë që brenda vitit të punojë shumë, problemet janë të shumta, problemet me kreditë e BERZh, autostrada, problemi me shpronësimin e tokave për qarkoren”, tha ai.
Fillimisht Haradinaj është takuar me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, vizitë kjo që po bëhet në kuadër të nismës së takimeve më kryetar të komunave nga i pari i Qeverisë së Kosovës.