Haradinaj e krahason takimin me Ahmetin me atë Kosovë-Shqipëri

Prishtinë | 09 Jan 2018 | 13:06 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ramush Haradinaj me disa nga ministrat e kabinetit të tij është takuar me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin.

Mediet janë lejuar të marrin pamje në fillim të takimit. Haradinaj tha se ky takim i ka parapri takimit që ka pasur ditë më parë më kryetarin Ahmeti, raporton Ekonomia Online.

Madje Haradinaj takimin me zyrtarë të komunës së Prishtinës e ka krahasuar me takimin mes qeverisë Kosovë-Shqipëri.

“Të them të drejtën është takim i dy qeverive, i ngjanë takimit sikur me qeverinë e Shqipërisë sepse ka shumë tema për të biseduar. Ne sot kemi diskutuar për ligjin për Prishtinën, implikimet që i ka ky ligj dhe atë se çka do të ndodhë edhe me një aspekt siç është policia komunale, shëndetësinë, Pallatin e Rinisë, Pallatin e Operës. Biseduam edhe për Arsim ndërkaq në fokus e kemi testin “PISA”, tha ai.

Theks të veçantë në këtë takim kishte angazhimi për ngritjen e cilësisë në arsim, duke e lehtësuar punën edhe përmes udhëzimeve të reja administrative.

Ndërsa Ahmeti tha se me kreun e qeverisë diskutuan për çështje në të cilat duhet bashkëpunim. Sipas tij, Qeveria është e interesuar që Ligji për Prishtinën të shkoj në kuvend për leximin e dytë.

Ai tha se në takim u bisedua për tema si Ligji për Prishtinën; bartja e Pallatit të Rinisë në pronësi të Komunës; Unaza e Qytetit; kogjenerimin e Termokosit.

“Sot diskutuam për tema konkrete në disa fusha duke vazhduar punën e mbetur që na ka mbet për ligjin e Prishtinës sepse qeveria është e interesuar që sa më shpejt të shkoj në leximin e dytë në kuvendin e Republikës së Kosovës. Pastaj diskutuam Pallatin e Rinisë që tashmë qeveria ka marrë vendim për kalimin e Pallatit të Rinisë në pronësi të komunës, na kanë mbet disa çështje procedurale që duhet ti vendosim me AKP-në që kjo çështje të përfundohet menjëherë”, tha ai.

Po ashtu, përfaqësuesit e Komunës dhe Qeverisë dakorduan për krijimin e një Task Force për zhvendosjen e një pjese të administratës shtetërore në periferi të qytetit, duke filluar nga largimi i ATK-së, ashtu që atë objekt ta shfrytëzojmë si sallë koncertale apo pallat të operës.

Haradinaj e Ahmeti janë takuar edhe më 21 dhjetor të vitit të kaluar, kur diskutuan për statusin e Pallatit të Rinisë, zgjerimin e projektit të kogjenerimit me Termokosin dhe unazën e Prishtinës.

 

 

Të ngjashme