Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se gjendja në arsimin e Kosovës nuk është e mirë dhe ka paralajmëruar se arsimi do të jetë prioritet i Qeverisë në vitin 2018.
Haradinaj i ka bërë komentet sot gjatë një vizite në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), raporton Ekonomia Online.
Ministri Shyqyri Bytyqi tha se në takim me shefin e Qeverisë temë kyç ishte përgatitja për testin pisa 2018 si dhe përmirësimi i cilësisë së arsimit në Kosovë.
“Diskutuam sfidat dhe punët në vitin 2018. Mendojmë që duhet të ndryshohet gjendja që e kemi. Në kuadër diskutuam çështjen e testit PISA për vitin 2018, testi final do mbahet nga fundi i prillit ose në fillim të majit”, shpjegoi kreu i MAShT-së.
“E njoftuam kryeministrin për detajet, punën që po bën komisioni që të bpëjmë maksimumin për të dalë sa më mirë më këtë test”.
Sipas Bytyqit, kryeministri u zotua se do të ofrojë përkrahjen e tij.
Vetë Haradinaj theksoi se tha se arsimi në Kosovë ka nevojë për përmirësime si dhe priroitet i qeverisë së tij do të jetë arsimi në vitin 2018.
“ Gjendja në arsim nuk është e mirë. Ka shumë punë dhe do të jetë prioritet i Qeverisë. Kemi qenë të ngarkuar më çështjen e energjisë… Por tani fokusi në arsim do të jetë i vazhdueshëm”.
“Nëse i identifikojmë problemet do të ishte një listë r gjatë. Jemi ne një temë konkrete – testi PISA, i cili ndodh në pranverë. Jemi të interesuar të marrim seriozisht, ta dimë peshën e këtij testi dhe të dalë niveli i vërtetë se ku ka mbërritur mësimdhënia në raport më këtë test. Një pjesë e përgjegjësisë bie mbi drejtorët e komunave deri të mësimdhënësit”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj injoron paralajmërimin e mësimdhënësve për grevë, arsyeton pagën e tij
Kryeministri Ramush Haradinaj e ka injoruar paralajmërimin e mësimdhënësve për grevë në rast se nuk iu rritet paga sipas kërkesës së tyre, përderisa ka vazhduar ta arsyetojë ngritjen e pagës që i bëri vetes dhe kabinetit të tij.
“Rritja e pagave për 4.6 për qind është në kuadër të premtimit elektoral. Për 30% është për këtë mandat, do e mbajmë këtë premtim. Për trazira, bëjmë trazira kur të duam se vendi ynë është por kështu është vendimi i Qeverisë edhe i imi sa jam unë”, tha Haradinaj.
Haradinaj më tej ka vazhduar duke e arsyetuar ngritjen e pagës që i ka bërë vetes dhe kabinetit të tij. Ka thënë vendimi për dyfishimin e pagave në qeveri nuk mund të krahasohet me rritjen e pagave të sektorit publik në përgjithësi.
“Rritja e pagës për shefin e qeverisë edhe ministrat është një vendim politik i atyre që i kanë përgjegjësitë por që nuk mund të hyjnë në të njëjtën kategori me rritjen e pagave në krejt sektorin publik sepse ka rangim të pagave”, tha Haradinaj.
Haradinaj si kryeministër i vendit kishte marrë një vendim javë më parë, ku paga e tij nga 1 mijë e 300 euro do të rritej 100% duke u bërë 2950 euro. Në këtë vendim Haradinaj ua kishte ngritur pagën edhe kabinetit të Qeverisë.
Sindikata e Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë(SBASHK), kishte paralajmëruar javë më parë grevë të përgjithshme, pasi sipas tyre rritja e paralajmëruar e pagave është tejet e ulët.
Haradinaj: Do ta marrim seriozisht problemin e narkotikëve nëpër shkolla
Kryeministri foli edhe për problemin e sigurisë nëpër shkolla dhe ekspozimin e fëmijëve ndaj substancave narkotike.
“Nuk është në rregull që në ambientin e shkollës të gjenden nxënës dhe njerëz që s’janë mësimdhënës. Kemi situatën e narkotikëve në shkolla. Përkundër përmirësimeve ende vazhdojnë problemet e ekspozimit të fëmijëve ndaj atyre që shpërndajnë droga. Do ta marrim me seriozitet këtë punë; nuk do lejojmë që fëmijët tanë të jenë të rrezikuar në shkollë”, tha ai.