Haradinaj: Ish-kryeministri Bajram Rexhepi, personifikim i humanizmit

Prishtinë | 22 Gus 2018 | 13:54 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e një vjetorit të vdekjes së ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se kujdesi për kujtimin, për veprën e njerëzve që gjatë jetës së tyre kanë bërë punë, shërbim për të tjerët, për shumicën, për popullin, po kthehet në një kult.

Kryeministri Haradinaj evokoi kujtime për ish-kryeministrin Barjam Rexhepi, duke thënë se e ka njohur pak më vonë dhe jo gjatë kohës së UÇK-së, por ajo që ka kuptuar është se ai ka qenë me një sjellje të jashtëzakonshme, një komunikues i veçantë dhe një prej atyre që u ka dhënë mundësi njerëzve.

“E mbaj mend për një njeri të arsyeshëm, që i ka dhënë arsye mendimeve të të tjerëve, pikëpamjeve; nuk ka qenë i ngurtë dhe nuk ka bllokuar pikëpamje e mendime, por ka qenë i hapur për t’i dëgjuar ato”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Bajrami ka qenë një njeri shumë bujar.

Kryeministri Haradinaj më tutje tha se ish-kryeministri Rexhepi ka qenë një njeri me qëllime humane, njeri  që ka dashur të ndodhin punë të mira dhe të ndodhin atje ku është më me rëndësi dhe nevojë, si dhe nuk ka qenë njeri që ka vrapuar pas meritokracisë së caktuar.

“Përulem me respekt para kujtimit dhe veprës së ish-kryeministrit Bajram Rexhepi”, tha kryeministri Haradinaj.

Me nga një fjalë rasti të pranishmëve ju drejtuan edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ndërsa për jetën dhe veprën e ish-kryeministrit Bajram Rexhepi foli Nexhmedin Spahiu.

Në emër të familjes të pranishmit i përshëndeti Vanesa Rexhepi, vajza e ish kryeministrit Bajram Rexhepi, duke thënë se veprat e babait janë udhëzues të rrugës së saj dhe gjithsecilit që e njohën ish-kryeministrin Rexhepi.

Kujtime për ish-kryeministrin Rexhepi evokoi kolegu i tij, Faik Pllana.

Pjesëmarrës në këtë Akademi Përkujtimore ishin edhe ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, personalitete të ndryshme nga jeta politike dhe shoqërore dhe qytetarë të shumtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme