Haradinaj iu jep 10 ditë ultimatum banorëve të Shipitullës e Hades

Prishtinë | 09 Dhj 2017 | 12:06 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim menaxhmentin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përfaqësuesit e fshatrave të Shipitullës dhe të Hades, ku ndodhet mihja sipërfaqësore e thëngjillit.

Kryeministri Haradinaj, në një konferencë për gazetarë pas takimit, tregoi se iu ka dhënë ultimatum 10 ditë banorëve të Hades e Shipitullës që të nënshkruajnë kontratat me kushte “gjeneroze” që ka ofruar Qeveria për zhvendosje, në të kundërtën do të procedohet sipas ligjit, raporton Ekonomia Online.

“Tema ka të bëjë me zhvendosjen e banorëve të Shipitullës dhe Hades, që ndërlidhen me perimetrin për mihjet në distancën e paraparë me ligj për mihje të qymyrit, sa është e lejuar t’i ofrohet shtëpive. Meqenëse ka një kohë, ka disa ditë që shpronësimi ka ngecur, pra zhvendosja, ka ngecur edhe mihja. Qeveria e vendit më datën 1 dhjetor 2017 e ka miratuar shpronësimin dhe ka marrë vendim për parametrat për shpronësim”.

“Vendimi është më gjenerozi që ka mundur të marr ndonjëherë Kosova, pra parametrat më gjeneroz të mundshëm, me vlerësimin më real dhe janë parametra që askush nuk mund t’i ofrojë tjetër, pra asnjë institucion monetar ndërkombëtarë, apo dikush tjetër. Përkundër këtij fakti hetoj se ekziston një rrjet i matrapazëve, janë disa matrapazë që këtë gjendje, situatën e zhvendosjes, krizën energjetike të Kosovës, urgjencën për të shkuar me mihë po duan ta shfrytëzojnë me plaçkitë në mënyrë të paskrupullt edhe buxhetin e vendit, por edhe për ta dëmtuar në përgjithësi situatën energjetike”.

“Sot i kam ftuar të gjithë që t’ju tregoj që kur kalon afati kohor ligjor i këtij vendimi, zbatohet ligji. Oferta që pason, pas këtij afati nuk është kjo gjenerozja, por është një ofertë tjetër në bazë të ligjit për Shpronësim. Pra, le ta dinë qytetarët e vendit të gjithë, se Qeveria ka qenë gjeneroze, është gjeneroze me banorët e Shipitullës dhe të Hades. Por, po ashtu çdo durim e ka një kufi. Nuk mundemi me prit në pakufi do matrapazë ta bllokojnë Kosovën dhe të mos e lënë me prodhuar rrymë, për shkak se kanë ndërtuar objekte brenda natës, për shkak se kanë rritë metrat katrorë dhe për shkak se po duan ta plaçkitin vendin prej shpronësimit”.

“Besoj se do ta kuptojnë të gjithë se megjithatë në këtë vend nuk mund të bënë hajgare në pakufi”.

“Unë kam përshtypjen se në çdo kategori është nga një, te banorët ndonjë, në komunë ndonjë, në ministri ndonjë në KEK ndonjë. Janë do pshtjellaqa që kanë nxjerrë përfitime nga ky proces në të kaluarën dhe këta e kanë mbajtur Kosovën peng deri më sot. Dhe kushdo qofshin ata, le ta kuptojnë se ka ardhur një fund. Nuk do të mbahet Kosova peng nga këta persona. Të gjithë do t’i vuajnë pasojat nëse ndodhë një kolaps energjetik. Nuk do të mbetet asnjë pa i vuajtur pasojat e veta.”, u shpreh Haradinaj, kur u pyet nga gazetarët se cilët janë këta “matrapazë” dhe nëse ka grupe politike mbrapa.

I pyetur se a mund të ketë kolaps energjetik, kreu i Qeverisë u përgjigj se gjendja është e rëndë dhe se Kosova është duke importuar rrymë. “Kemi pasur fat në fatkeqësinë në Shqipëri sepse vërshimet e rritën sasinë e ujit dhe prodhimin e energjisë dhe ne e kemi marrë atë energji me çmim të volitshëm. Por nuk mund të vazhdojmë të blejmë rrymë të fqinjët, rrymë shumë të shtrenjtë e mos me nxjerrë qymyrin që me Ligj nën 80 centimetra është i Kosovës dhe dihet si janë pasuritë dhe resurset natyrore”.

Deri kur kanë afat banorët që ta pranojnë këtë ofertë gjeneroze?

“Vendimi është marrë më 1.12.2017, pra i kanë 10 ditë nga dita e sotme. Ata që i nënshkruajnë e nënshkruajnë me këtë ofertë, pas dhjetë ditësh zbatohet Ligji për Shpronësim që është gjysma e asaj që ju kemi ofruar dhe shkojnë ekskavatorët sikur për ndërtimet pa leje që shkojnë, njëjtë shkojnë ekskavatorët dhe do t’i heqim nga aty. Po ju them sinqerisht, ju dhe secili e ka parë që jam mundur maksimalisht për ta respektuar së pari ndjenjën së pari, jo vetëm të drejtën, vendimin e banorët që do të shpërngulen. Të drejtën e tyre, të drejtën materiale dhe financiare, çdo të drejtë. Kemi gjetur lokacione për troje, keni gjetur vend për zhvendosje, kemi marrë parasysh çdo gjë. Dhe kriteri është më gjeneroz që mund ta paguan Kosova. Banka Botërore është habitur me këto kushte që ju kemi dhënë. Institucionet tjera janë habitur, na kanë kritikuar nëpër Kosovë njerëzit pse jepni kaq shumë. Por janë njerëzit tanë dhe nuk kemi dashtë. Por tani ka një limit, pra dhe ky limit është i vërtetë”.

“Këtë ua thashë edhe këtyre që ishin sot këtu, kush nuk e merr brenda 10 dite, Ligji dhe bagerat. Nuk do të mbetet Kosova peng i askujt”.

Kryeministri Haradinaj pret në takim menaxhmentin e KEK-ut dhe banorët e Shipitullës from Ekonomia Online on Vimeo.

Të ngjashme