Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar betejën e Koshares ku para 19 vjetësh arriti të shemb kufirin e dhunshëm ndërmjet shqiptarëve.
Haradinaj nderoi dëshmorët e rënë në këtë betejë fillimisht me homazhe te varrezat e tyre, raporton Ekonomia Online.
Në tubimin përkujtimor, Haradinaj ka thënë se Kosova duhet të jetë pjesë e NATO-së, për t’i dhënë krahë paqes kudo në botë.
“Nuk shkuam në luftë për të poshtëruar popullsinë jo-shqiptare, por e bëmë që të mos ketë shkelje dhe padrejtësi.Që të ndërtohet një shtet ku të gjithë ndihen të sigurt dhe ku frika i lë vend shpresës e ku pa dallim secili mund të krijojë lumturinë e vet. Shqiptarët asnjëherë nuk sulmuan tokat e fqinjëve dhe nuk ua cenuan lirinë, e duan paqen por jo edhe nënshtrimin. Patën guximin t’i kapin armët të luftojnë për liri e dinjitet pa pyetur për çmimin”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij rruga për lirinë e Kosovës takoi shumë tmerre të luftës dhe solli trimëri të papërsëritshme të luftëtarëve.
“Në rrugën tonë për liri kemi parë gjithë ato tmerre që i ka lufta por kemi parë edhe trimëri të papërsëritshme të heronjve tanë, krenohemi me heronjtë si Agim Ramadani, Sali Çeku, Xhemajl Fetahu e shumë bashkëluftëtarë të tjerë“, ka shtuar ai.
I pari i ekzekutivit ka theksuar se dekada e parë e pavarësisë së Kosovës bashkon shqiptarët në rrugën euroatlantike që sipas tij në këtë rrugë Kosova ka shumë sfida.
“Ka filluar mijëvjeçari i shqiptarëve dhe ky është shekulli i parë i shtetit tonë sovran, me qëllim të bashkimit të shqiptarëve në familjen euroatlantike. Në këtë rrugë do të kemi plotë sfida por jemi të vetëdijshëm se me shembullin e heronjve dhe unitetin e tyre do t’ia arrijmë qëllimit”.