Deputeti, ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka qëndruar në ceremoninë e organizuar për 37-vjetorin e grevës së minatorëve të Trepçës, e ku tha se mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e punëtorëve është rikthimi i kësaj ndërmarrjeje në forcë ekonomike.
Haradinaj shkruan se në kohën sa ishte kryeministër ishte votuar statuti i “Trepçës”.
“Grevat e Minatorëve ishin akte të guximshme dhe momente kthese në rrugën tonë drejt lirisë. Sot, në shënim të 37-vjetorit të Grevës së Minatorëve, me nderim kujtuam veprën e më shumë se 1300 minatorëve të asaj kohe. Kjo grevë u shndërrua në një rezistencë gjithëpopullore, duke lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë. Mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e punëtorëve të devotshëm të kohë, ishte rikthimi i Trepçës në forcë ekonomike të vendit. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në mars të vitit 2019, me votimin e Statutit të “Trepçës” e regjistruam si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës. Ky ishte hap kyç për t’i dhënë këtij aseti fuqinë për investime dhe gjenerim stabil të të hyrave, punësim dhe për ta rikthyer atë në funksion të plotë të ekonomisë së vendit, të shtetit të Kosovës dhe të minatorëve. Mirënjohës ndaj minatorëve të asaj kohe për guximin dhe sakrificën e tyre, si dhe minatorët e sotëm për angazhimin e palodhur dhe punën e ndershme që vazhdon t’i japë jetë Trepçës dhe ekonomisë së vendit”, ka shkruar ai.



