I nominuari për kryeministër të Kosovës nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj tha sot para qytetarëve të Ferizajt se Kosova duhet të nis një fillim të ri dhe të mos mbetet mbrapa në regjion e as në botë, por të jetë një vend i zhvilluar dhe i qëndrueshëm.
Ai theksoi se gjithmonë do të jenë afër qytetarit.
“Një dallim ka me qenë i madh sikurse sot që jemi këtu bashkë. Nuk ka me u punu më ndaras. A i keni parë marrëveshjet, që po i nënshkruajmë me palët e caktuara, qoftë me sindikatat, qoftë me të gjithë. Nuk kemi me punu më Qeveria diku, e qytetari diku. Do të jemi afër qytetarit tonë gjithnjë. Nëse marrim vendime të guximshme bëjmë punë të mëdha. Një vendim i yni është me 11 qershor…”, tha ai.
Haradinaj theksoi se edhe pse janë vonuar në hapjen e vendeve të punës, nuk është kurrë vonë për ta bërë këtë, duke shtuar se “duhet të afrohemi tek sipërmarrësi ynë menjëherë, duhet t’i aktivizojmë resurset tona”.
“Detyra jonë për të ecur si Kosovë, si shtet është me i konsolidu institucionet, besimin në institucione”, tha Haradinaj.