Haradinaj në Rahovec: E kryejmë punën ose shkojmë në shtëpi

Rahovec | 17 Tet 2017 | 18:49 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lideri i AAK-së, njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi zgjedhor në Rahovec, tha se deri më tani Kosovës i ka munguar “infrastruktura njerëzore”.

Haradinaj tha se sikur zyrtarët t’i zbatonin detyrat që i kanë marrë përsipër, edhe papunësia do të zhdukej.

“O kanë me u kry detyrat, ose kemi me shku në shpi të gjithë; prej meje e deri te i fundit”, tha shefi i Qeverisë.

“Kosovës i ka munguar zbatimi i detyrave dhe besoni që nëse zbatohen detyrat dhe kryhen punët, edhe papunësia do të zhdukej. Nëse e marr unë një vendim që i dedikohet shëndetësisë, ai duhet të mbërrijë te pacienti dhe kështu me radhë”, u shpreh Haradinaj.

“Për Pallatin e Rinisë Prishtinë qe dhjetë vjet shtyhen i kujt është. Ky pallat për dy muaj do t’i kthehet Prishtinës… Ne Qeveria paguajmë 9 milionë euro qira në vit e nuk jemi ne gjendje me ndërtu diçka për njerëzit”.

Nga rahovecasit, Haradinaj kërkoi votën për AAK-në, në mënyrë që “shëndetësia të kthehet te pacienti, subvencioni të shkojë te bujku…”

Ai premtoi përkrahje për projektet e kandidatit të AAK-së për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi. “Ne mund të shkojmë në pakufi për një impiant të ujërave të zeza. Ato që i mbërrin Komuna mirë, ato që s’i mbërrin jemi ne”.

E kandidati për ta drejtuar Komunën e Rahovecit në katër vitet në vazhdim, Smajl Latifi, tha se deri më tani, qytetarit të Rahovecit i është mohuar e drejta elementare, ajo e komunikimit me Komunën. “Por, më 22 tetor do të vijë ndryshimi dhe Rahoveci do ta ketë një kryetar i cili punon për qytetarin”.

“Rahoveciani nuk e do arrogancën e të papërgjegjshmin, e as kryetarin që i duket vetja zot. Kandidatin që punon për qytetarët, rahovecianët do ta kenë pas 22 tetorit. Kemi dhe kryeministrin që do të na ndihmojë ta bëjmë Rahovecin zonë me interes të veçantë dhe pikë strategjike për bujqësi”, deklaroi Latifi.

Ai premtoi se do ta bëjë Rahovecin me zonë ekonomike dhe turistike; si dhe rrugë me katër korsi nga Xerxa në Rahovec, pët të vazhduar më pas deri në Suharekë.

“Bujkut do t’ia kthejmë dinjitetin, duke bërë buxhetin për bujqësi 1 milion euro në vit. Mjekut do të ia kthejmë vëmendjen, duke ia mundësuar një ambient adekuat pune. Qytetarit do t’ia kthejmë Komunën. Nxënësit do t’ia kthejmë entuziazmin. Mësimdhënësit do t’ia kthejmë përkrahjen, duke e larguar ndikimin e politikës nga shkolla. Gruas do t’ia kthejmë vendin në vendimmarrje, duke e bërë të barabartë me burrat”, ka thënë mes tjerash pretendenti për ta qeverisur Rahovecin.

Të ngjashme