Haradinaj në Shkodër s’komenton deklaratat e Daçiqit, thotë se ushtria po bëhet me aleatët

Shkodër | 24 Tet 2018 | 09:45 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj, vizitën në Shkodër, e ka filluar me homazhe te shtatorja e Isa Boletinit, i shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë së këtij qyteti Voltana Ademi, raporton Ekonomia Online.

Pas homazheve, kur është pyetur nëse Kosova ka mbështetjen e ShBA-së për formimin e ushtrisë, Haradinaj ka deklaruar se procesi ligjor për transformimin e FSK-së po bëhet në Parlament me respektin e aleatëve të Kosovës.

“Po vazhdojmë rrugën tonë drejt konsolidimit të Kosovës si shtet, pra transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në mandat të ushtrisë, mandat mbrojtës po ndodh në Parlamentin e vendit me respektin e aleatëve dhe gjithë partnerëve tjerë”.

Gazetarët kanë kërkuar të dinë mendimin e Haradinajt për deklaratat e ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq, se Kosova nuk mund të ketë ushtri përderisa ekziston rezoluta 1244.

Haradinaj nuk ka komentuar deklaratat e tij, duke thënë se “Baca Isë na jep porosi të mira”.

“Shkodran shumë qytet i bukur, vërtetë jemi në një vend të mirë. Na jep porosi të mira edhe baca Isë”.

Haradinaj është shprehur se Shkodra ka bërë krenarë shqiptarët ndër shekuj, raporton EO.

“Jam i vërtetë prekur dhe i emocionuar të jem në Shkodër, adresën e shqiptarisë, dhe kombit, shqiptarisë. Në vendin i cili na ka bërë krenarë ndër shekuj që jemi shqiptar”.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka falënderuar Bashkinë e Shkodrës e cila e shpalli atë “Qytetar Nderi” në kohën kur po mbahej nga autoritetet franceze në Strasbourg, në bazë të një fletarresti ndërkombëtar nga Serbia.

“Çdo herë do të jemi bashkë, Shkodra, Kosova dhe gjithë shqiptarët kudo që janë”.

Kryetarja e Shkodrës, Voltana Ademi, tha se vizita e Haradinajt ka kuptim të madh për shkodranët, raporton Ekonomia Online.

“Shpresoj që në kuadër të kësaj vizite të kemi mundësi të marrim disa iniciativa edhe në kuadër të 500-vjetorit të Skënderbeut, por edhe në kuadër të disa ngjarjeve kombëtare për Kosovën dhe Shqipërinë. Vizita juaj është historike për qytetin tonë”.

Më pas kreu i ekzekutivit vizitoji Bashkinë e Shkodrës ku u prit nga kryetarja, Voltana Ademi.

Kryeministri Haradinaj do ta vizitojë edhe Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në këtë qytet.

Të ngjashme