Haradinaj: Nuk do ta shkarkoj ministrin Bytyqi

Prishtinë | 02 Mar 2018 | 10:43 | Nga

Kryeministri Ramush Haradinaj nuk do të shkarkoj ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi.

Kështu është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për medie.

“Qeveria e Republikës së Kosovës njofton opinionin se janë të pavërteta shkrimet e disa mediave  për shkarkimin e mundshëm të ministrit Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës bënë me dije se ministri Bytyqi është duke vazhduar punën në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve që i takojnë në pozitën e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”, thuhet në njoftim.

Lidhur me shkarkimin e mundshëm të ministrit të MAShT-it është raportuar në medie pas përjashtimit të Agjencisë së Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

AKA në vitin 2015 ishte bërë pjesë e EQAR-it, që është regjistër i agjencive evropiane të sigurimit të cilësisë, të cilat dëshmojnë se standardet dhe procedurat e tyre janë në përputhje substanciale me parimet për sigurimin e cilësisë në Evropë.

Në vendimin për përjashtim thuhet se Komiteti i Regjistrit ka konstatuar se pas vendimit të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe të u.d. të drejtoreshës së Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, kjo agjenci “ka humbur aftësinë e saj për të vepruar në mënyrë autonome”.

Ministri, Shyqiri Bytyqi, më 25 shtator të vitit të kaluar, me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, e ka shkarkuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë (që njihet si Bordi i Agjencisë së Akreditimit), si dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të Agjencisë për Akreditim, me arsyetimin se procesi i akreditimit është përcjellë me shumë “parregullsi”.

 

 

Të ngjashme