Haradinaj: Nuk është e hijshme me gjuajt me armë, por disa tradita nuk janë zhdukur

Prishtinë | 26 Jan 2018 | 10:47 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se nuk është e hijshme të gjuhet me armë, por sipas tij, disa tradita nuk janë zhdukur tërësisht.

Këto deklarime Haradinaj i bëri në interpelancën e thirrur për gjuajtjen me armë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të diasporës, Dardan Gashit, raporton Ekonomia Online

“Në pikëpamjet e mia janë pak ma tradicionale dhe për këto mbaj përgjegjësi. Ky rast dhe kjo interpelancë është një porosi që duhet të korrigjohemi përfshi edhe traditën. Jam dakord që Kosovës në traditën e vet të veprojë në përputhje me jetën dhe ligjet e tanishme. E marr si mundësi që trajtimi i temës ta kthejmë në vëmendje dhe ta kthejmë kah kushtetua. Kërkesa për masa tjera për mua është e hershme për shkak se është në proces ligjor”.

Ai më tej nuk ka sqaruar se çka do të ndërmerr ndaj vartësit të tij, edhe pse i është kërkuar që ta shkarkoj atë, raporton Ekonomia Online.

Kreu i ekzekutivit ka sqaruar se për këtë rast janë intervistuar pesë persona dhe janë konfiskuar dy armë të modifikuar për gjuajtje.

“Policia ka intervistuar pesë persona, ndër ta edhe ministrin Gashi. Policia poashtu ka konfiskuar dy revole. Këto janë të dhëna të policisë dhe janë në Prokurorinë e Gjakovës. Nuk është e hijshme që dikush të ekspozojë armë dhe të gjuaj me të. Por janë disa tradita në jetën tonë që nuk janë zhdukur nga jeta jonë dhe ne dakordohemi që të respektojmë ligjet”.

Kryeministri Ramush Haradinaj, dje në kohën kur duhet të ishte në Kuvendin e Kosovës, ka shkuar në Gjilan.

Atje, kreu i Qeverisë ka zhvilluar takim me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri. Kur u pyet nga gazetarët pse nuk është në interpelancë ndonëse ka deklaruar se do t’iu përgjigjet deputetëve, Haradinaj u përgjigj: “Nuk dua të komentoj, jam në Gjilan”.

Interpelanca do të mbahet disa muaj pasi zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, kishte mbledhur miq e dashamirë në odën e tij në Banjë të Malishevës, pas lirimit nga akuzat për korrupsion sa ishte ministër i Transportit.

Në një video të publikuar shihet sesi shtien me armë zv.kryeministri e ministër i Diasporës e Investimeve Strategjike, Dardan Gashi; ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe ish-këshilltari i Fatmir Limajt, Endrit Shala.

 

Të ngjashme