Haradinaj paralajmëron politika ndëshkuese për ndotësit e mjedisit

Prishtinë | 07 Sht 2018 | 11:02 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në tryezën e diskutimit me kryetarë të komunave të Kosovës lidhur me zhvillimet dhe planet në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u zotua se do t’i përdorë të gjithë mekanizmat për ta mbrojtur ambientin.

Në këtë tryezë, organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Qeveria Gjermane, kryeministri bëri thirrje që të ruhet mjedisi, raporton Ekonomia Online.

“Janë gati dy dekada që Kosova po ballafaqohet me probleme mjedisore. Kam konsideruar që është momenti i fundit që të reflektojmë dhe ta ndryshojmë këtë gjendje. Duke qenë bashkë, mund ta pastrojmë Kosovën. Puna jonë e përbashkët është mesazh për ruajtjen e mëtejme të ambientit. Ne kemi plot sfida, por mbajtja e ambientit të pastër mendoj që zgjidhet me strategjinë e grumbullimit të mbeturinave dhe unë shpresoj që do të jemi në gjendje të veprojmë”.

Haradinaj ritheksoi se më 15 shtator do të fillojë aksioni i madh i pastrimit të Kosovës.

“Ne e fillojmë më 15 shtator aksionin e pastrimit dhe nuk do të kursej as nga koha, e as nga buxheti për këtë aksion. Do të fillojmë edhe me politika ndëshkuese për ata që nuk respektojnë normat ligjore”, tha ai.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Fatmir Matoshi, tha se janë të angazhuar të ndahen përfundimisht nga mbeturinat, raporton EO.

“Jemi në përfundim të udhëzimit të gjobave mandatore dhe nga 17 tetori do të jetë në fuqi. Kemi punuar për të krijuar strategji për gjoba mandatore. MMPH, së bashku me zyrën e kryeministrit, ka vendosur të ndajë 1.2 milion euro për komunën që ka përkujdesjen më të madhe të mjedisit”.

Aleksander Linden nga GIZ-i premtoi përkrahjen për mbrojtjen e ambientit.

Në emër të komunave të Kosovës, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se do të punojnë me mbeturinat dhe deponitë ilegale, derisa premtoi që nuk do të kursejnë asgjë deri të arrihet rezultat pozitiv.

“Ne jemi një nga komunat që kemi punuar ngushtë me GIZ-in lidhur me mbeturinat. Në qoftë se para disa viteve mbeturinat janë konsideruar si barrë, tash në shumicën e botës kjo përdoret si aset. Këto komunat nuk mundem me i bë veç vetë dhe duhet ndihma e nivelit qendror. Në regjionin e Prishtinës është Obiliqi ai që paguan çmimin më të madh”, tha ai.

Drejtori i organizatës Let’s do it Kosova, Luan Hasanaj, tha se po mundohen që gjatë 3 muajve të eliminojnë të gjitha mbeturinat në Kosovë.

“Është një fushatë e madhe që po fillon, do ta shohim nëpër media. Ministria e Arsimit ka marrë vendim që të gjithë nxënësit të jenë atë ditë në aksion. Ne si organizata po punojmë shumë që të ftojmë biznese që të bëhen pjesë e aksionit 15. Synimin e kemi që t’i mobilizojmë 100 mijë vullnetarë”.

Image may contain: 3 people, people sitting, people standing, suit and indoorImage may contain: 3 people, people sitting, table and indoorImage may contain: 6 people, people sitting, people standing and table

Të ngjashme