Kreu i AAK-së përmes një facebook ka thënë se pjesëmarrja e Kryeministrit Kurti në inaugurimin e Parkut të Erës në Mitrovicë, është një lajm fantastik, por që meritat e Qeverisë Kurti për këtë projekt janë zero.
Haradinaj ka thënë se sikur Kryeministri Kurti e Qeveria e tij të mos e kishin kundërshtuar projektin e termocentralit të ri me Countur Global, apo projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, sot do të mund t’u gëzoheshim edhe dy sukseseve të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, e nuk do t’i vuanim pasojat e mungesës së energjisë e çmimeve stratosferike.
“Qeveria duhet të marrë shembull nga Parku i Erës në Mitrovicë, se si nisen e kryhen punët e interesit strategjik për vendin, e pse jo t’i thoshte disa fjalë të mira edhe për Qeverinë Haradinaj, që kishte vizion të qartë se si zgjidhej situata elektro-energjetike në vend”.
Haradinaj ka thënë se ky është sukses i Kosovës, e cila ka nevojë urgjente që t’i shtyjë edhe projektet tjera në fushën e energjisë, që sot janë ndalur nga Kryeministri Kurti.