Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi një takim me punëtorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për të shënuar mbarimin e vitit 2017.
Më këtë rast, Haradinaj u kërkoi atyre që të punojnë për uljen e informalitetit dhe të luftohen dukuritë negative si korrupsioni dhe të sigurohet një shtet ligjor, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se gjendja ekonomike në Kosovë pengon ndërtimin e shtetit ligjor, si dhe ndikon në shkallën e lartë të korrupsionit.
“Në fund vitin 2017, jam i kënaqur me punën e ministrit Hamza, se si angazhohet dhe se si i mban përgjegjësitë. Ne kemi një gjendje në vend e cila nuk është e mirë. Gjendja ekonomike e jona sipas meje i ka dy pengesa që janë të lidhura me një instrument është se: në një- shtet ligjor, gjyqësori i pengon investitorët edhe të vendit edhe të jashtëm të investojnë në Kosovë dhe e dyta – korrupsioni, shkalla e lartë e korrupsionin e pengon zhvillimin ekonomik”, theksoi kryeministri.
Haradinaj po ashtu tha se në vendin tonë partitë politike kanë interesa kur janë në pushtet, ndërsa në krejt botën i kushtohet kujdes shtetit ligjor, që mos me u rrit humbjet përmes korrupsionit.
“Ju keni një rol të rëndësishëm në administrimin e tatimeve. Kosova bazohet në ju, ju falënderoj për punën që bëni dhe për të gjitha të arriturat që bëni. Vitin që vjen rritja ekonomike e lajmëruar që është rreth 5% nuk mjafton, me këtë rritje edhe 20 vjet nuk i mbërrijmë vendet e BE-së. Unë mendoj se profiti është ma së miri në duart e atij që e krijon, jam për një barazi në treg”.
Sakip Ymeri, Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës tha se ATK -ja është institucioni që ka përgjegjësi ligjore, raporton Ekonomia Online.
Ai theksoi se ATK-ja ka 775 zyrtarë superiorë dhe 10% prej tyre janë me përgatitje të mesme.
“Është nder dhe kënaqësi që institucioni i ATK-së e merr mesazhin ndër të parët për festat e fundvitit. ATK-ja është institucion që ka përgjegjësi ligjore të përkujdestë për administrimin e ATK-së. kemi 775 punonjës me përgatitje superiore të zyrtarëve, 10% të mesme dhe përgatitjes të lartë shkollore”, ka thënë Ymeri
Ai tha se institucioni i ATK-së që është i shtrirë në 10 komuna të Kosovës, me një përgjegjësi të veçantë në kuadër të Ministrisë së Financave.