Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për leksione nga askush, duke komentuar fjalimin e Edi Ramës në Kuvendin e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë.
Kreu i Qeverisë së Kosovës i bëri komentet gjatë qëndrimit në qytetin e Mitrovicës, ku po shënohet përvjetori i grevës së minatorëve, raporton Ekonomia Online.
“I kam thënë Edi Ramës se mund t’i shesim mend njëri-tjetrit sa të duam. Edi Rama e ndihmon Kosovën vetëm duke e zhvilluar Shqipërinë”, tha Haradinaj.
“Me pasë qenë Shqipëria anëtare e BE-së sot, sa mirë kishte me qenë për ne, sepse iu kishin vënë kushte atyre të tjerëve për Kosovën”.
Haradinaj tha se nuk ka qëllim për të hyrë në debate të panevojshme, “sepse jemi vëllezër”.
“Por, duhet ta kuptojnë që Kosova ka njerëz, nuk munden me ardhë me mbajt leksione. E dojmë popullin tonë. Por është me rëndësi me i kry punët tona”, u shpreh Haradinaj.
Kryeministrat Haradinaj e Rama kishin pasur edhe para disa ditës një “përplasje” publike. Rama, në një intervistë për mediet kosovare, kishte thënë se mosratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, për një kohë të gjatë nga Kosova, jo vetëm që ka lënë qytetarët e Kosovës pa viza, ka dëmtuar këtë shtet të ri edhe në politikën ndërkombëtare, veçanërisht te miqtë e saj perëndimor.
Ai kishte thënë se tema e Demarkacionit ishte një ide e shpikur nga politika e Kosovës, që rrezikoi edhe të ardhmen euro-atlantike të vendit.
Kjo kishte nxitur reagimin e Haradinajt, i cili nëpërmes një postimi në Facebook e kishte porositur Ramën të merrej me punët e veta. “Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”, kishte shkruar Haradinaj.
Ndërkohë, Rama në fjalimin e tij para Parlamentit të Kosovës ka bërë një deklaratë që ka shkaktuar reagime në vendet fqinje, madje edhe të zyrtarëve të Brukselit.
Rama tha se Shqipëria e Kosova mund të kenë një president simbol të unitetit kombëtar. Përmes një reagimi zyrtar, zëdhënësja e KE-së, Catherine Ray, ka thënë se kjo deklaratë mund të interpretohet si ndërhyrje politike në vendet fqinje.