Haradinaj: Ushtria nuk do të ketë ndikim në dialogun me Serbinë

Prishtinë | 22 Tet 2018 | 12:55 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj në ligjëratën e mbajtur në Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK), lidhur me transformimin e FSK-së në ushtri, tha se ushtria nuk do të ketë ndikim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton EkonomiaOnline.

Me këtë rast, Haradinaj ka thënë se procesi i transformimit të FSK do të zgjasë 10 vjet. Ai ka thënë se koaova pa formimin e ushtrisë nuk mund të mbrojë integritetin territorial dhe as komunitetet që jetojnë këtu.

“Kosova ka institucione për mbrojtjen e integritetit territorial. Artikulli katër është baza e parlamentit tonë.  Transformimi i FSK-së tregon një rrugë të përkushtimit ndaj sigurisë ndërkombëtare dhe stabilitetit të sigurisë. Ishte një proces dhe një vendim që do te na ofrojë drejt rrugës së anëtarësimit në NATO.

Haradinaj ka shtuar se ky proces do të zhvillohet në koordinim me NATO-n, raporton EO.

“Prezenca e NATO-s është e mirëseardhur. Alternativa më e mirë për sigurinë kombëtare është transformimi në ushtri. E heq vakumin e sigurisë në Ballkan, e bën Kosovën nga marrës në dhënës të sigurisë, përmirëson ekonominë tonë. FSK-ja shihet si institucioni më i fort dhe i trajtuar i Kosovës në gjashtë vitet e fundit. Profesionalizmi i FSK-së dëshmon se kjo ushtri do të vazhdojë bashkëpunimin me NATO-n,” është shprehur Haradinaj.

“Detyrat e FSK-së janë me mbrojt territorin e Kosovës, me mbështet ushtarakisht të gjitha komunitetet e Kosovës. Ligji për shërbimin e FSK-së përfshinë të gjithë kadetët, rekrutët. Këta kanë disiplinë, nderë, respekt. Për 10 vjet do të bëhet ushtria, është e ndarë në 4 sektorë”.

Haradinaj ka shpjeguar se si do të ndodh procesi i tranzicionit.

“Do të ndahet në Gjilan, Istog, Mitrovicë. Në vitin e katërt, këta do të jenë gati të bëjnë operacione tokësore. Faza e tretë është 7 deri në 10, për të bërë mbështetje ushtarake, përpos forcave tokësore. Në fund të fazës 3, FSK do të kompletohet. FSK do të ketë 5 mijë trupa aktivë, dhe 250 vende të lira për nevoja të përdishtmërisë. Këto krejt janë të planifikuara në standarde të NATO-s. Nuk do të përdorim teknike që nuk është pjesë e NATO-s. 8 për qind janë femra, njëra prej tyre është gjenerale”.

I pyetur nga pjesëmarrësit se a është koha e duhur për ushtrinë, Haradinaj ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe duhet të ketë ushtrinë.

“Ne jemi shtet sovran dhe kemi kushtetutë, Kosova po e finalizon arkitekturën e sigurisë se Kosovës, po e ndihmojmë regjionin. Pa ushtrinë e Kosovës s’mund të mbrojmë integritetin territorial, e as komunitetet dhe kjo është detyrë e jona. Ushtria është shenjë e pjekurisë, përgjegjësisë”.

Haradinaj ka treguar se janë duke krijuar një plan me gjerat që i nevojiten FSK-së.

“Është një plan për pajisjen e FSK-së, kemi me huazu. Do të flasim me Kombet e Bashkuara. Një pjesë është në proces të marrjes së pajisjeve, p.sh pajisje të transportit. Dinamika është fleksibile”.

Hardinaj ka deklaruar se krijimi i ushtrisë nuk do ta ndikojë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Serbia duhet me na njoft për atë çka jemi, jo atë çka nuk jemi. Nëse i bëjmë detyrat, luftojmë korrupsionin, zhvillojmë ekonominë, trajtojnë serbët e Kosovës me dinjitet, do të kemi njohje. Edhe Serbia ka ushtri, por prapë vjen në tavolinë. Ushtria nuk do të ketë ndikim në dialog.”

I pyetur se a është në dijeni se disa serbë sot janë larguar nga FSK-ja, Haradinaj nuk ka pranuar të përgjigjet. Por, u ka bërë thirrje pjesëtarëve serbë që të mos bien pre e presioneve.

Haradinaj ka shtuar se numri i serbëve qe duan të bëhen pjesë e FSK-së është shumë i madh, por nuk po e bëjnë publike një fakt të tillë, në mënyrë që ndaj tyre të shmangen kërcënimet dhe presionet.

“Kam takuar vet qytetarë serbë si kadetë të ri. Ju thërras mos i pranoni këto presione. Ju lutem mos i lëshoni detyrat e juaja sepse ka plot serbë që po kërkojnë të bëhen pjesë e FSK-së. Nuk i kemi bërë publike për të mos u bërë target i presioneve. Të dhënat personale të tyre do te ruajmë me kujdesin me të madh”.

Të ngjashme