Haradinaj: Vonesat për pagesat e “Bechtel&Enkas” i trashëguam nga qeveritë e kaluara

Prishtinë | 29 Sht 2023 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se vonesat për pagesa i kanë trashëguar nga qeveritë e kaluara, teksa po dëshmonte në Gjykatë për ndarjen e 53 milionë € për kompaninë “Bechtel&Enkas”, raporton Ekonomia Online.

Gjatë dëshmisë së tij, në lidhje me dyshimet për keqpërdorimin e 53 milionë eurove, ku i dyshuar kryesor është bashkëpartiaku i tij, Pal Lekaj, Haradinaj tha se janë munduar vazhdimisht që të gjejnë zgjidhje për të dalë nga situata me dëme sa më të vogla.

Avokati Musa Damati, nga mbrojtja e Pal Lekaj, e ka pyetur Haradinajn për vonesat e projektit, për të cilat, Haradinaj tha se nuk kanë mundur t’i përgjigjen pagesës që në muajin e parë të qeverisjes.

“Thatë se ka pasur vonesa të trashëguara të këtij projekti. A janë shkaktuar këto vonesa në pagesa nga qeveria juaj”, ka pyetur Damati.

Për këtë, Haradinaj ka thënë se çështja e vonesave u është trashëguar, por se e kanë rritur fokusin për t’i përmbyllur ato.

“Çështja e vonesave ka qenë e trashëguar, ne nuk kemi mundur menjëherë në muajin e parë me iu përgjigj pagesës. Fillimisht interesimi për projektin, ka qenë i rëndësishëm, çështja e interesimit ka kalu tek ndërprerja e punimeve dhe operatori ka thënë se nëse në një kohë të caktuar nuk e marrim vendimin e juaj në vazhdojmë në institucione ligjore dhe në presion e kemi bë si prioritet, e kemi ngrit vigjilencën, fokusimin që duhet me u përmbyll”, tha ai, raporton EO.

Ndërsa, nga trupi gjykues, gjyqtari Vesel Ismaili, e ka pyetur Haradinajn për shqyrtimin e mundësive për të dalë nga situata me dëme sa më të vogla.

Ai, po ashtu e ka pyetur Haradinajn nëse mendon se ka pasur lëshime në këtë çështje.

Bashkëbisedimi ndërmjet trupit gjykues dhe Haradinaj:

Ismaili: Ministri i Infrastrukturës, a ka paraqitur shqetësime dhe a i keni shqyrtuar mundësitë me dal nga kjo situatë me dëme sa më të vogla?

Haradinaj: Në takime edhe të komitetit edhe të qeverisë janë shqyrtu, janë paraqit nga ministri, ne edhe personalisht kemi ndërmarrë veprime të ruajtjes, të mos përkeqësimit të situatës me operatorin, jemi mundu mos me kalu në situata të këqija, por me u gjet zgjidhja mes dy palëve, mos me kalu te pala e tretë, në instanca ligjore, kemi kërku mirëkuptim që mos me na sanksionu, mos me na e rrit koston.

Ismaili: Kur ka çalu çështja sipas jush, ku qeveria është dashur të paguajë aq shumë, njëra arsye ka qenë ndërprerja e qeverive, e mandateve?

Haradinaj: Operatori vazhdimin kohor të mbetjes ka kërku me rikontraktu, qeveritë paraprake nuk kanë arritë me bë në kohë, në një mënyrë ndoshta edhe në kemi mujt me ia lënë një qeverie tjetër por atëherë do të ia lenim një barrë më të madhe dhe do të rritej kostoja.

Ismaili: A është kërkuar sqarim për atë kërkesë para se të votohej, si arriti t’ju bind me votu?

Haradinaj: Nëse nuk ka informatë për diçka ndryshe, atëherë nuk ka nevojë me u bind.

Ismaili: Gjatë këtij procesi, a mendoni që ka pas lëshime?

Haradinaj: Lënda ka ardhë me procedurat paraprake për me ardhë në kabinet, kushdo nga ministrat ka mujt me e hedh një dyshim apo ndryshim, për deri sa nuk ka një shqetësim, lënda i plotëson kriteret.

Ismaili: Paraprakisht a jeni konsultuar me këshilltarët ligjor, a kanë pas çasje në kontratën bazë dhe aneks-kontratën?

Haradinaj: Koha për operatorin është arsye, çdo ditë e humbur, javë, muaj i është kthyer në kosto Kosovës dhe Qeverisë tonë.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme