Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, me kandidatët e tij ka vazhduar sot fushatën zgjedhore në Mitrovicë.
Duke folur para përkrahësve të mbledhur në Shtëpinë e Kulturës, Haradinaj ka thënë se është për keqardhje që një qytet që “flen” në ar, vazhdon të jetë shumë i varfër.
“Sa herë që kemi folur për vendimet e mëdha dhe të guximshme për vendin dhe qytetarët, po ua them se kemi menduar pikërisht edhe për Trepçën”.
Haradinaj ka thënë se në qeverinë e drejtuar nga ai, “Trepça” do të shndërrohet në gjenerator kyç, shtytës të zhvillimit ekonomik të Kosovës, i një shteti gjithëpëfshirës më tërësi të plotë territoriale e me sovranitet.
“Qytetarët e Kosovës, pa dallim, do të gëzojnë të drejtat e barabarta por edhe do të shfrytëzojnë të mirat e shtetit të përbashkët”.
Haradinaj ka përsëritur se Kosova është një, e pandashme dhe për të vendosin vetëm qytetarët e saj.