Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, të hënën, kanë miratuar vendimin për harmonizimin e dispozitave të Rregullores për Transparencë me rekomandimet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Plotësim-ndryshimi i kësaj rregulloreje ka marrë aprovimin unanim të këshilltarëve prezentë, me ç’rast opozitarët kanë bërë thirrje që kjo rregullore të mos mbetet dokument i shkruar bukur, respektivisht të zbatohet në praktikë nga ekzekutivi lokal, shkruan sot Koha Ditore.
Kuvendi i Komunës së Prizrenit të hënën ka vazhduar seancën e tetë për vitin 2019, që ishte shtyrë në ditën e fundit të tetorit, për shkak të mungesës së kuorumit, ku pos vendimeve të tjera ka miratuar edhe harmonizimin ligjor të kësaj rregulloreje. Rregullorja për transparencë ishte vënë në diskutim në seancat e shkuara të KK-së, por në mungesë të kuorumit nuk ishte marrë vendimi për këtë çështje.
Shefi i Zyrës për informim në Komunën e Prizrenit, Ymer Berisha, në seancën e mbajtur më 31 tetor 2019, pati theksuar se “Komuna e Prizrenit është komuna e parë në Republikën e Kosovës që e ka hartuar Rregulloren për Transparencë për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrjen komunale”. Para këshilltarëve ai pati shpjeguar se MAPL-ja ka kërkuar rishqyrtimin e 4 neneve të kësaj rregulloreje që kanë rënë ndesh me legjislacionin në fuqi.