Hashim Thaçi: I vetmi, ama bash i vetmi kundërshtar i imi ishte Sllobodan Millosheviqi

Prishtinë | 18 Shk 2026 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Ish presidenti Hashim Thaçi në sallën e gjyqit në Hagë gjatë fjalës së tij ku në dispozicion ka 20 minuta tha se i vetmi kundërshtar i tij dhe popullit të Kosovës ishte Sllobodan Millosheviqi, raporton Ekonomia Online.

“Më lejoni ta përsëris një të vërtetë të përjetshme: i vetmi, ama bash i vetmi kundërshtar i imi, i popullit të Kosovës dhe i botës demokratike, ishte Sllobodan Millosheviqi. Është e rëndë të dëgjosh këtë akuzë, veçanërisht kur gjatë luftës unë nuk e dija nëse do të isha gjallë, prej orës në orë e prej ditës në ditë. Nuk isha i sigurt nëse do ta shihja familjen, gruan dhe djalin e sapolindur, e lëre më të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovë, në Kosovën e pushtuar plotësisht. Fakti që sot ne jemi gjallë është krejtësisht rastësi dhe fat. Unë nuk u ktheva për ta rrezikuar jetën time për kontroll dhe pushtet; u ktheva në atdhe duke rrezikuar jetën time për liri dhe paqe. Pyetja që shtrohet sot është: marrja e kontrollit prej kujt, mbi kë? E vërteta është se kontrolli dhe pushteti ishin plotësisht, ama plotësisht, në duart e hekurt të Sllobodan Millosheviqit”, tha ai.

Thaci nënvizoi se shqiptarët nuk ushtronin pushtet, por shtypeshin nga pushteti i Millosheviqit, duke theksuar se liria e Kosovës nuk do të mund të ndodhte pa NATO-n.

“Shqiptarët nuk ushtronin pushtet, është paradoksale; ata shtypeshin nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit. Misioni ynë si popull ishte i qartë: mbijetesa, liria dhe paqja. Unë nuk kisha fare iluzione, por shpresa jonë e vetme për shpëtim ishte bota demokratike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO. Prandaj, thellë fokusi im ishte ndërtimi dhe forcimi i kësaj aleance. Për këtë qëllim unë udhëtova në shumë kryeqytete për t’i bindur për kauzën tonë të drejtë, por kudo që isha, isha në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të administratës amerikane. Millosheviqi e kishte filluar luftën në Kosovë, ndërsa ne kosovarët vetëm po vetëmbroheshim. Por luftën mund ta përfundonte vetëm NATO, askush tjetër; po ashtu ndodhi. Po të mos ishte intervenimi i NATO-s, liri të Kosovës nuk do të kishte, e as pavarësi të Kosovës. Pavarësia nuk ishte instrument për të marrë pushtet, por për dinjitet. Kjo Prokurori më thuri shumë lavde, më ndau shumë tituj e grada, por e vërteta është krejt tjetër: unë nuk isha ai i cili e transportova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë, iu bashkova rezistencës në Kosovë. Nuk ishte kthimi nga Perëndimi pse UÇK po masivizohej; arsyeja ishte Sllobodan Millosheviqi dhe askush më bukur nuk e ka thënë se sa sekretarja e shtetit, Medline Albright: “Millosheviqi, me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës, ishte rekrutuesi më i madh i UÇK-së.””, tha Thaçi.

E ai tha se UÇK nuk ishte shtet, por kauza e saj ishte çlirimi.

“UÇK nuk ishte shtet, nuk ishte ushtri e një shteti; ajo ishte organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor. Fakti që UÇK nuk ishte e organizuar ashtu siç pretendon Prokuroria se ishte, nuk e zbeh aspak rolin e saj për lirinë e Kosovës. Nuk e bën kauzën e saj për çlirim më pak fisnike e as arritjen e Pavarësisë më pak historike”, tha ai.

Ish-presidenti Hashim Thaçi tha se Kosova ishte më e rëndësishme se sa fati i tij.

“Kur në Kosovë po hapeshin vare për mijëra viktima, mijëra të zhdukur nuk gjindeshin, mijëra pengje shqiptare ishin marrë në Serbi, dhimbja ishte e thellë dhe kolekltive. Ajo që po bëra mund të kishte pasoja fizike por edhe elektorale. Por Kosova ishte më e rëndësishme sesa fati im personal. Pas hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe largimit të forcave serbe. Qytetarët e Kosovës nuk po luftonin, po festonin lirinë e shumëpritur. Gjatë 9 viteve të para pavarësisë ne ishim qytetarë të OKB-së në vendin tonë. Gjatë kësaj kohe, unë i bëja thirrje popullatës të kishin durim, tolerant dhe të bashkuar dhe të kishin besim tek partnerët ndërkombëtarë. Pavarësisa ishte fryt i aleancës sonë me botën demokratike”, tha tutje ai.

Të ngjashme