Kampioni i botës në boks, Robin Haxhi Krasniqi ka vizituar Komunën e Prishtinës, ku u prit nga nënkryetari Selim Pacolli, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, Pacolli i ka ndarë mirënjohje Krasniqit me stemën e Komunës së Prishtinës, çmim që iu jepet njerëzve që arrijnë sukses në karrierë.
“Po e ndajmë këtë mirënjohje si shenjë respekti që je i këtij shteti. Ne si Komunë e Prishtinës kemi nderin që të presim dhe të nderojmë me këtë stemë të Komunës së Prishtinës. Është një çmim që ne iu ndajmë njerëzve të cilët e arrijnë në karrierë që është një nder dhe kënaqësi për neve për suksesit që po sjellin djemtë dhe vajzat tona nga Diaspora, të cilët asnjëherë nuk po e harrojnë vendin e tyre dhe origjinën. Çdo çmim dhe çdo arritje e tyre që po e arrijnë po ia atribuojnë vendit të vet dhe origjinës së vet. Është kënaqësi për neve që ta ndajmë këtë mirënjohje”, tha Pacolli.
E boksieri Robin Krasniqi falënderoi Pacollin për këtë çmim, teksa tha se ndihet krenar për vendin e tij.
“Është kënaqësi e madhe që ta marrë këtë çmim. Ne që jetojmë në Diasporë për çdo sukses që e sjellim është ndjenjë e madhe sepse jemi djemtë dhe vajzat e këtij kombi dhe është obligim i joni që ta nderojmë këtë vend. Jam shumë i lumtur për këtë çmim”, tha Krasniqi.