Haxhiu i reagon KGJK-së dhe KPK-së: Asnjëherë nuk do t’i mbyllim sytë përballë padrejtësive

Prishtinë | 11 Gus 2021 | 19:24 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë reaguar kundrejt deklaratës së saj, se do të ketë ndërhyrje në punën e tyre.

“Sot kam pritur komunikata nga këshillat me anë të së cilave do të përshëndesnin miratimin e strategjisë për sundimin e ligjit.

Në vend të kësaj, KGJK dhe KPK, paskan reaguar kundrejt deklaratës sime ku kam theksuar që nuk do të ketë bashkëpunim me këshillat nëse nuk reagojnë kundrejt skandaleve dhe nëse nuk veprojnë në përputhje me përgjegjësitë e tyre ligjore. Këtë e paskan cilësuar si “interferim në punën e tyre”!”.

Haxhiu tutje tha se ministria po përballet çdo ditë me shqetësimet e qytetarëve ne raport me mosveprimin e institucioneve të drejtësisë, njofton Klankosova.tv.

“Jo vetëm unë, po s’ka asnjë raport të vetëm në të cilin nuk evidentohen problemet e mëdha në sistemin e drejtësisë dhe si Ministri, përditë përballemi me shqetësimet e qytetarëve në raport me mosveprimin e institucioneve të drejtësisë. Vonesat në trajtim të lëndëve, ndikimet në sistem, neglizhenca dhe shumë të tjera janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet sistemi i drejtësisë.

Qeveria jonë ka marrë mandatin e kthimit të besimit qytetar në institucionet e drejtësisë dhe për këtë do të punojmë pa u ndalur”.

Gjithashtu Haxhiu tha se bashkëpunimi me institucionet e drejtësisë është i rëndësishëm në mënyrë që të arrihet zbatim i përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

“Bashkëpunimi me institucionet e drejtësisë, është i rëndësishëm, në kuptim të krijimit të kushteve të punës me qëllim të zbatimit të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Asnjëherë nuk do t’i mbyllim sytë përballë padrejtësive e shkeljeve.

Skandalet në sistemin e drejtësisë janë alarm dhe kjo duhet të përbëj shqetësim edhe për vet këshillat përkatës dhe është në mandatin tim kushtetues të bëj thirrje për zbatimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Barrikadimi nuk i ndihmon sistemit e as nuk është shërbim të drejtësisë.

Është koha e fundit për të punuar e angazhuar në këtë drejtim. Këtë ua kemi borxh qytetarëve dhe vendit”.

Të ngjashme