Haxhiu: Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës

Prishtinë | 24 Gus 2026 | 10:50 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të saj.

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, mirëpriti gazetarë ukrainas që ndodhen në Kosovë që nga ditët e para të agresionit rus.

Haxhiu tha se për këta gazetarë, Kosova është bërë një shtëpi e përkohshme, prej nga kanë vazhduar të raportojnë dhe të punojnë për vendin e tyre.

“Si qytetarë të Kosovës e dimë mirë çfarë do të thotë të largohesh nga shtëpia pa e ditur kur do të kthehesh. E dimë sa shumë vlen kur të tjerët të qëndrojnë pranë pikërisht atëherë kur ke më së shumti nevojë”, u shpreh ajo.

Sipas Haxhiut, Kosova e ka dëshmuar mbështetjen për Ukrainën përmes veprimeve konkrete, përfshirë bashkimin me sanksionet ndaj Rusisë, mbështetjen për qytetarët dhe gazetarët ukrainas, si dhe kontributin në fushën e mbrojtjes përmes trajnimit të ushtarakëve ukrainas dhe pakove të ndihmës ushtarake.

“Historia jonë nuk është historia e Ukrainës, por na ka mësuar ta njohim çmimin njerëzor të luftës”, tha Haxhiu, duke shtuar se Kosova do të vazhdojë të mbështesë të drejtën e popullit ukrainas për të vendosur vetë për të ardhmen e tij.

Në fund, Haxhiu uroi të gjithë ukrainasit me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.

Të ngjashme