Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar sistemin e drejtësisë në vend, të cilët sipas tyre edhe pse janë të thirrur ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar ata nuk po e zbatojnë ligjin, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se Kosova po përballet me dy probleme, me mungesën e zhvillimit ekonomik dhe mungesën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Kosova nuk është pasqyruar mirë në raportet për vendin. Madje shumë kritikë kanë qenë ambasadorët që veprojnë në Kosovë. Kosova ka shumë probleme në sistemin e drejtësisë. Nuk kemi parë veprim serioz në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Këto ia kanë zënë frymën sistemit të drejtësisë. Dy nga problemet kryesorë të Kosovës, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe mungesa e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka kritikuar mbajtjen e shumë pozitave të njerëzve të cilët janë në krye të sistemit të drejtësisë në vend.
“Kryeprokurori mban shumë pozita. Me qenë sot kryeprokuror në Kosovë, koha, dita është e pamjaftueshme për shkak të rasteve të shumta korruptive. Nuk ka zbatimi të një ligji i cili ka hyrë në fuqi në prill. Kryeprokurori i shtetit ka kontroll në sistemin prokurorial ai kontrollon edhe kush do të jenë prokurorët e rinj. Kjo është evidente edhe te prokurorët dhe gjyqtarët. Ne duhet të flasim për këtë problem i cili që sa vite ekziston. Ne nuk mund të presim nga këta njerëz që ta luftojnë korrupsionin” , tha Haxhiu.
Sipas saj, kjo gjendje ndryshohet vetëm nëse vendi shkon në zgjedhje.
Anëtari i Vetëvendosjes, Avni Zogiani, tha se përveç punësimeve në më shumë se një vend pune në sektorin publik disa po punojnë si ligjërues edhe në universitete private.
“Është e qarë se këto lloj punësime janë shndërruar në instrument që shkatërrojnë sektorin publik. Fatkeqësisht kjo s’është e kufizuar vetëm në këtë sektor madje kalojnë përtej sektorit publik. Njerëzit që duhet ta kenë prioritet integritetin punojnë shpesh edhe në sektorin privat”, tha Zogiani
“…Vjedhjet e dhomës së dëshmive, këta zyrtarë që kanë qenë përgjegjës të miliona eurove të kontingjenteve të drogës ata persona kanë punuar edhe në sektorin privat konkretisht në universitete private. Thyerja e sigurisë apo evidenca sigurisht që ka shkuar në interes të dikujt. Pasoja më e rëndë është mundësia e Kosovës të bëjë përshtatje në integrime evropiane. Kriteret kryesore janë paanshmëria, barazia, profesionalizimi”, tha ai.