Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu u ka bërë thirrje atyre që vlerësojnë se është shkelur Kushtetuta me mos-thirrjen e seancës konstituive që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ka kërkuar të njëjtën gjë edhe për pretendimet lidhur me ushtrimin e detyrës së presidentes nga ana e saj, raporton Ekonomia Online.
Haxhiu tha se nëse dikush konsideron se ajo po e ushtron detyrën në kundërshtim me Kushtetutën, mund të zgjedhë një nga dekretet që ajo ka nënshkruar dhe ta dërgojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
“Së pari, kushdo që vlerëson që është shkelur Kushtetuta, më falni, me mos thirrjen e seancës konstitutive, i lutem që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Vitin e kaluar e kanë bërë më shumë se tri katër herë. Ju e dini, pra ka pasur disa kërkesa në Gjykatën Kushtetuese”.
“Sa i përket mandatit tim, kushdo që vlerëson që unë po e ushtroj detyrën në kundërshtim me Kushtetutën, ka vendime që po i nënshkruaj në vazhdimësi, dekrete, ju lutem që njërin prej tyre ta zgjedhin e ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për të parë në qoftë se jam ushtruese e detyrës së presidentes apo jo. Nuk mund ta lëmë vendin pa president”, tha ajo.
Haxhiu tha se ka paqartësi në qëndrimet e atyre që, sipas saj, e konsiderojnë atë ushtruese të detyrës së presidentes në një moment, ndërsa në një tjetër jo.
“Nëse nuk e ushtroj unë detyrën e presidentes, atëherë kush e ushtron detyrën e presidentes? Por është pak e paqartë. Si është e mundur që të premten jam ushtruese e detyrës së presidentes, e të hënën nuk jam? Apo të martën si jam? Sepse të premten unë kam pranuar emrat për anëtarë të KQZ-së nga LDK-ja, nga PDK-ja, nga Aleanca edhe nga subjektet e tjera. Por letrën që i kanë drejtuar te unë është Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së presidentes. Prandaj është mirë që të jenë konsistentë”, tha ajo.
Ajo tha se pretendimet për statusin e saj duhet të adresohen përmes institucioneve kompetente dhe jo përmes qëndrimeve politike.
“Pra, është mirë që ta thonë pse nuk vinë te kjo, por jo ta përmendin arsyen a qenkam a jam unë deputete apo jo. Sepse nuk ka kuptim që të premten me qenë ushtruese e detyrës së presidentes, e të hënën apo të martën jo. Kjo flet më shumë për mungesën e vullnetit politik sesa për paqartësitë kushtetuese-gjyqësore, por edhe një herë, ka shumë dekrete që i nënshkruaj. Dje, më herët, direkt njërin prej tyre le ta zgjedhin, qofshin edhe këta për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sepse unë do të veproj, edhe le ta konfirmojë Gjykata Kushtetuese nëse unë po bëj shkelje duke e mbajtur këtë detyrë. Nuk jam duke e mbajtur me kush e di farë qejfi, është obligim kushtetues”, tha ajo.
