Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka reaguar ndaj drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, Sejdi Statovci i cili për Ekonomia Online ka thënë se për 9 muaj janë kryer mbi 1 mijë operacione.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se në këtë klinikë janë investuar mbi 22 milionë euro, kurse janë vetëm katër salla të operacioneve e 15 specialistë të kirurgjisë së fëmijëve.
“Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, paska deklaruar se për 9 muaj janë kryer mbi 1 mijë operacione, mesatarisht i bie që janë kryer 3-4 operacione në 24 orë në një Klinikë që ka 4 salla të operacioneve e 15 specialistë të kirurgjisë së fëmijëve, e ku janë investuar mbi 22 milionë euro. Sipas raporti zyrtar të QKUK-ës në vitin 2019 me 2 sallë të operacionit janë kryer 1425 operacione në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, ndërsa tani me 4 salla te operacionit ka ma pak operacione të kryera”, ka thënë Haxhiu.
Tutje, ai ka thënë se kjo shpërfaq dështimin në menaxhim të shëndetësisë tonë të cilën e ka përfshirë tenderomania.
“Operacione të kryera në Klinikë e Kirurgjisë se Fëmijëve në vitin 2024 mesatarja 3.7 operacione në 24 orë me 4 salla operative. 2019 mesatarja 3.9 operacione në 24 orë me 2 salla operative. Kjo shpërfaq dështimin në menaxhim të shëndetësisë tonë të cilën e ka përfshirë tenderomania”, shtoi ai.