Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherit kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka marrë pjesë në rivarrimin e eshtrave të Sinan Dautit i cili ishte i zhdukur prej 27 vitesh, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se trupi i Sinanit tanimë do të prehet në vendin e tij të lindjes në Prekaz.
“Sot jemi mbledhur këtu në Prekazin e Epërm në një ditë të rëndë dhimbjeje dhe kujtimi, për t’i dhënë më në fund prehjen Sinanit nëntëvjeçar, për trupin e të cilit nuk dinim asgjë për 27 vite. Sinani më në fund po prehet në paqe, në një vend që do ta vizitojnë jo vetëm të afërmit e tij, familja, por të gjithë shqiptarët nga të gjitha anët. Sinani ishte vetëm nëntë vjeç. Një fëmijë që duhej të rritej mes lojës, shkollës dhe ëndrrave për të ardhmen. Por jeta e tij u ndërpre në mënyrë tragjike në ditët më të errëta të luftës në Kosovë. Më 12 prill 1999, në lagjen Bregaj të Prekazit, gjatë sulmeve dhe granatimeve të forcave serbe, Sinani u plagos rëndë. Pas largimit me forcë të familjes së tij nga fshati, ai u dërgua fillimisht në spitalin e Skenderajt e më pas edhe në spitalin e Mitrovicës, ku edhe ndërroi jetë. Sikur të mos mjaftonte vrasja e tij, edhe trupi i tij u zhduk. Për 27 vite me radhë, familja e tij jetoi mes dhimbjes duke pritur të dijë për trupin e tij. Tani me identifikimin e mbetjeve mortore në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë, kjo pritje e gjatë mori fund dhe Sinani është kthyer në tokën e tij të lindjes. Sot nuk jemi këtu vetëm për një rivarrim, jemi këtu për të nderuar kujtimin e tij dhe për të kujtuar 1392 fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë, si dhe të gjithë civilët e pafajshëm që humbën jetën në atë periudhë të rëndë.
Këto dëshmi janë të dhimbshme që mbeten pjesë e historisë sonë dhe e kujtesës sonë kolektive. Kjo ngjarje na kujton çmimin e madh të lirisë që populli ynë ka paguar. Kjo ngjarje na obligon të mos harrojmë kurrë historinë tonë. Kujtimi i Sinanit mbetet një thirrje e përhershme për përgjegjësi por edhe për drejtësi. Një thirrje që asnjë familje tjetër të mos kalojë një dhimbje të tillë. I qoftë i lehtë dheu i Prekazit Sinanit, Sinan Daoutit. Kujtimi i tij do të mbetet përherë i gjallë mes nesh. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit. E nderuar familje Sinani, jemi sot këtu me ju për t’ju nderuar por edhe për t’ju qëndruar pranë në këto momente të vështira”, tha Haxhiu.
