Ish-ministrja e Drejtësisë, në Qeverinë Kurti, Albulena Haxhiu ka thënë se Task-Forca kundërkorrupsionit në kuadër të Policisë prej 10 vjetësh po merrej me hetimin e personave të profilit të lartë.
Mbyllja e saj sipas Haxhiut edhe përkundër që nuk ka treguar rezultate është ndërhyrje brutale në pavarësinë e institucioneve.
“Ne kemi pasur qëndrime publike sa i përket shuarjes së kësaj Task-Force dhe fakti që kjo Task-Forcë ku përbrenda policisë së Kosovës që dhjetë vjet megjithatë nuk është që ka pasur kushedi se çfarë të arritura por megjithatë e njëjta është marr edhe me ish-ministra. E kemi konsideruar si hakmarrje, por edhe ndërhyrje brutale në pavarësinë e institucioneve të pavarura sepse për mua është e papranueshme sesi qeveria shuan një departament që aktualisht po shqyrton e po trajton lëndë që janë shumë të rëndësishme dhe shumë problematike që kanë të bëjnë me afera të mëdha korruptive”.
Kur foli për rrëzimin e Qeverisë, ajo tha se PDK-ja nuk është e interesuar që kjo Qeveri të shkojë në shtëpi.
“Neve na duhen 40 nënshkrime për ta proceduar formalisht në Kuvendin e Kosovës. Fatkeqësisht ne kemi subjekte opozitare që ja mbajnë vetes opozitë, por që nuk japin nënshkrimet për ta rrëzuar një Qeveri që edhe për ata konsiderohet në deklarimet e tyre si Qeveri kriminale. Prandaj është e papranueshme qasja që ka zgjedhur PDK-ja dhe ne jemi të bindur se nëse kemi nënshkrimet e PDK-së padyshim që do të arrihet numri 61 për ta dërguar këtë Qeveri në shtëpi”.
Sipas Haxhiut, sa më shpejt që të ketë zgjedhje është aq më mirë për vendin.
“Sa më shpejt që të kemi zgjedhje është aq më mirë për vendin dhe për qytetarët sepse çdo ditë e kësaj qeverie në institucione është një ditë më pak shpresë për qytetarët e Kosovës. Neve na takon që të angazhohemi për ta hequr qafe këtë Qeveri dhe për ta rrëzuar”.
“Natyrisht për këtë duhet bashkim dhe veprime konkrete për t’i ndalur dëmet e kësaj Qeverie. Se kur do të mund të mbaheshin zgjedhjet unë nuk mund të paragjykojë, por aq më shpejt që mbahen ato është aq më mirë për vendin dhe qytetarët”.
Sa i përket punës së Qeverisë, Haxhiu thotë se gjatë gjithë kësaj kohe kemi parë degradim të skajshëm qoftë edhe në menaxhimin me pandeminë, por edhe çështje të tjera.
Madje ajo shtoi se ministria e Drejtësisë ka hequr dorë nga vettingu.
“Unë kam përcjell me vëmendje edhe punën e qeverisë dhe ministrisë së Drejtësisë. Padyshim që secila fjalë e imja do të ishte jo mjaft argumentuese në raport me veprimet që i ka bërë qeveria deri më tani sepse gjatë gjithë kësaj kohe kemi parë degradim të skajshëm qoftë edhe në menaxhimin me pandeminë por edhe në drejtime të tjera. Sa i përket Ministrisë së Drejtësisë është i papranueshëm fakti që kjo ministri ka hequr dorë nga vettingu nga një punë e mirë e disa ekspertëve të cilët ishin shumë profesionist të ndihmojnë ministrinë e Drejtësisë për ta bërë vettingun që i duhet shumë Kosovës. Ministri formoi një grup tjetër, por që do të jetë një punë pa asnjë rezultat”.
Ajo tha se nuk ka shpresa që kjo Qeveri do të bëjë diçka sa i përket themelimit të institutit për krime lufte.
Tutje, Haxhiu theksoi se rruga më e mirë për të sjell drejtësi për krimet që janë kryer në Kosovë është që kjo Qeveri të largohet, raporton EO.
“Së pari për mua është e papranueshme qasja që ka zgjedhur Ministri i Drejtësisë. Në vend që të linte grupin që është formuar në kohën kur unë isha Ministre e Drejtësisë ai e stërzgjati këtë. Tani kanë kaluar disa muaj që ky ekip nuk ka mundur që të veprojë për faktin se Qeveria aktuale nuk e kishte vendosur në krye të tij një kryesues sepse i njëjti është kryesuar nga këshilltarja e ish-kryeminstrit Kurti dhe ministri i Drejtësisë është dashur vetëm ta bëjë zëvendësimin në këtë ekip”.
“Unë nuk kam shpresa që kjo qeveri do të bëjë diçka në këtë drejtim për faktin se kur s’ke vullnet politik nga lart padyshim që ajo reflekton edhe të institucionet tjera. Rruga më e mirë për të sjell drejtësi për krimet që janë kryer në Kosovë është që kjo Qeveri të largohet”.