Haxhiu: Për Presidentin na duhet një marrëveshje më e gjerë, vendit nuk i duhen zgjedhje të reja

Prishtinë | 18 Gus 2026 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar sot konsultime me drejtues të subjekteve politike, duke kërkuar një zgjidhje për situatën politike në vend dhe arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit.

Pas takimit, Haxhiu i ka falënderuar përfaqësuesit politikë që iu përgjigjën ftesës së saj, duke theksuar se, pavarësisht dallimeve politike, dialogu është i domosdoshëm për të gjetur një zgjidhje.

“Qëndrimet janë të njohura dhe dallimet politike ekzistojnë. Por pikërisht kur dallimet janë të mëdha, dialogu bëhet domosdoshmëri”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka vlerësuar se për zgjedhjen e Presidentit nevojitet një marrëveshje më e gjerë sesa ajo që kërkohet për formimin e institucioneve të tjera, duke kërkuar që palët të mos e shtyjnë procesin deri në ditët e fundit.

“Për Presidentin na duhet një marrëveshje më e gjerë se ajo që kërkohet për formimin e institucioneve të tjera. Këtë e dimë të gjithë dhe nuk kemi as arsye, as kohë, ta shtyjmë për ditën e fundit atë për të cilën, në fund, gjithsesi duhet të ulemi dhe të merremi vesh”, ka deklaruar ajo.

Sipas Haxhiut, gjatë takimit është ritheksuar se vendit nuk i duhen zgjedhje të reja dhe se të gjitha subjektet politike kanë përgjegjësi për të kontribuar në arritjen e një marrëveshjeje për një President konsensual.

“Kjo përgjegjësi nuk mund të delegohet dhe as të shmanget”, ka theksuar ushtruesja e detyrës së Presidentes.

Haxhiu ka kritikuar gjithashtu refuzimin ose bojkotimin e takimeve politike, duke thënë se një qasje e tillë nuk çon drejt marrëveshjes.

“Refuzimi apo bojkoti i takimeve nuk është rrugë drejt marrëveshjes. Mospajtimi është legjitim, por shmangia e dialogut nuk zgjidh asgjë”, ka shkruar ajo.

Ajo u ka bërë thirrje palëve që, nëse kanë një alternativë tjetër për zgjidhjen e situatës, ta bëjnë atë të qartë dhe të tregojnë se çfarë zgjidhjeje ofron për vendin.

“Nuk mund të presim të pajtohemi para se të ulemi të flasim. Po të ishte kështu, dialogu nuk do të kishte asnjë kuptim”, ka deklaruar Haxhiu.

Në fund, ajo ka përsëritur se përgjegjësia për tejkalimin e situatës politike është e përbashkët dhe se nevojiten dialogu dhe një marrëveshje që, sipas saj, i shërben interesit të përbashkët.

“Përgjegjësia për zgjidhjen është e përbashkët, prandaj duhet përgjegjësi, dialog dhe një marrëveshje që i shërben interesit të përbashkët”, ka përfunduar Haxhiu.

Të ngjashme