Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se koalicioni mes AAK-së dhe PSD e ka vërtetuar konstatimin e Vetëvendosjes se PSD ka qenë gjithmonë në pushtet.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se ata i kanë dhënë mbështetje PAN-it sa herë që i janë ligështuar këmbët.
“Por edhe më me rëndësi është demaskimi (apo vetëdemaskimi) i tyre duke pranuar poshtërimin publik, vetëm për të shmangur vendimin eventual për mosshkuarje në zgjedhje”, ka shkruar ajo, transmeton Koha.net.
Haxhiu shkruan se kanë qenë të bindur dhe e kanë deklaruar se siç thotë ajo, Shpendi me të vetët në asnjë rrethanë nuk do të shkojnë të vetëm në zgjedhje, për të evituar dënimin e paevitueshëm nga ana e votuesve.
Sipas saj, klika që doli nga Vetëvendosja, me 12 ulëset në parlament, për të cilët vazhdimisht ka insistuar se janë të fituara e jo të vjedhura, hyri në negociata për koalicion parazgjedhor me një subjekt tjetër politik që po ashtu ka 12 ulëse.
“Sikur ata vetë, ose edhe AAK vetëm pak të kishin besuar që këto ulëse janë të fituara e jo të vjedhura, diskutimi do të shkonte drejt ndarjes së barabartë të numrit të kandidatëve në listën e përbashkët zgjedhore”, thotë ajo.
Haxhiu thotë se duke i ofruar më pak se çerekun e vendeve në listë, Haradinaj u tregoi publikisht se sa i vlerëson ai këto 12 ulëset, kurse sipas saj, me pranimin e ofertës, klika e pranoi publikisht tradhtinë që ka bërë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
“Pra, klika pranoi se është më e vogël se 1/4 e AAK. E meqenëse AAK është diku 12%, i bie se klika janë më pak se 3%. Sondazhet paskan qenë të sakta. Tash haptazi ata e pranuan se në çfarë momenti të vështirë ndodhen kur askush tjetër nuk pranonte t’i fuste në listat e veta pa i poshtëruar paraprakisht”, ka shkruar tutje ajo.