Publicisti Baton Haxhiu, është duke e përcjell nga afër vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Moskë.
Rama po qëndron në kryeqytetin rus në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, e ku çështje kryesore e bisedimeve me Ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov do të jetë Ukraina.
“Tash Rama është përfaqësues i OSBE-së dhe tema e diskutimit është vetëm Ukraina dhe vendet e krizës – ato vende që njihen si problematike, apo me pavarësi të papërfunduar apo vende që i ngjajnë problematikave tona në Ballkan”, ka thënë Haxhiu për Info Magazine.
“Besoj se në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së nuk duhet ta hapë në takim as Rama dhe as Lavrov çështjen e Kosovës. Por nëse takimi vazhdon në cilësinë “Kryeministër i Shqipërisë-Ministër i Jashtëm i Rusisë do të hapet edhe çështja e Kosovës. Tash për tash në rend të ditës nuk është tema e Kosovës”.
Haxhiu ka theksuar së në Moskën e ftohtë delegacioni shqiptar është pritur ngrohtë.
“Pritja ishte korrekte, nuk pati ndonjë sensacion. Befasuese ishte vizita në hotel e shefit të politikës të dhomës ruse që ishte në pritje të Ramës. Ishte me shumë mirëseardhje”.
“Takimi do të mbahet nesër në 12:00 ku besoj se delegacioni shqiptar – në këtë rast delegacioni kryesues i OSBE-së me pesë anëtarë në përbërje do të pritet poashtu nga një delegacion prej 5 vetash. Pra takimi do të jetë 5:5”.
“Nga prizmi “vizitë e një kryeministri shqiptar në Rusi”, ka qenë Mehmet Shehu i fundit që ka vizituar Moskën. Pas kaq vitesh është vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Rusi. Në vitin 2000 është bërë një vizitë nga Ilir Meta por në cilësinë e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë”.
“Marrëdhëniet Shqipëri-Rusi janë krejtësisht të ftohta, nuk ka as telefonata mes Tiranës dhe Moskës për të dialoguar qoftë për një çështje. Qëkur Rusia ka ikur nga Shqipëria, që nga ajo kohë nuk ka asnjë vizitë miqësore në mes këtyre dy vendeve”.
Qëndrimi i tillë i Rusisë është edhe ndaj Kosovës dhe këtë Haxhiu ka thënë se e ka vërejtur prej atje tash kur ka provuar të telefonojë në Kosovë.
“Sapo provova të thërras me kodin +383 u lajmërua sekretaresha ku tha se “ky numër dhe kjo thirrje nuk është në listën e thirrjeve të shtetit tonë”. Sa ka shkuar larg Rusia me qëndrimin e saj tregon se nga ky vend nuk mund të thërrasësh në Kosovë. Problemi i Kosovës është problem i politikës së lartë – është problem i qëndrimeve të mëdha dhe nuk ka të bëjë me qytetarin e rëndomtë”.