Anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka mbajtur fjalim në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo ka përmendur të dorëhequrit duke thënë se edhe ata kanë kontribut për rritjen e Vetëvendosjes si dhe ish-kryetari, Visar Ymeri.
Por, Haxhiu ka veçuar Albin Kurtin si politikanin model në Vetëvendosje e në Kosovë.
Viti i kaluar, sipas saj, ka qenë vit elektoral, me dy palë zgjedhje që e dyfishuan VV-në në nivel lokal por edhe qendror.
“Merita për këto arritje mbajnë të gjithë aktivistët, deputetët, kandidatët për kryetar të komunave dhe kandidatët për asamble komunale. Ish-kryetari dhe gjithë të tjerët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Vetëvendosjen”, tha ajo.
Por sipas Haxhiut, meritën më të madhe e ka njeriu më i votuar në Kosovë, Albin Kurti.
“Aktivisti që ka fituar zemrën e aktivistëve, politikani me nivel të lartë intelektual dhe me gjuhë popullore”, theksoi Haxhiu.