Koalicionin PAN dhe mandatarin për kryeministër nga ky bllok, Ramush Haradinaj nuk do ta mbështes me votë asnjë deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë nënkryetari i këtij subjekti, Lutfi Hazhiri.
Madje, Haziri thotë se deputetët e LDK-së jo qe nuk do të kontrabandohen, por as nuk do të mund të kontaktohen nga ana e këtij koalicioni dhe subjekteve tjera politike.
“Në cilësinë e nënkryetarit të LDK-së, ju siguroj edhe një herë qe deputetët e LDK-së i nënshtrohen vendimeve vetëm të LDK-së. Nuk ka asnjë mundësi individualisht apo formë tjetër me u kontaktu dhe mu kontrabandu politikisht as për PAN-in as për PDK-në dhe askënd tjetër në Kosovë”, ka thënë Haziri për ‘Indeksonline’.
Zyrtari i lartë i partisë se Isa Mustafës thotë se tendencat e PDK-së për të kontaktuar LDK-në kanë dështuar, sepse sipas tij, ata nuk do të kenë qasje dhe Haziri thotë PDK e ka kuptuar mirë mesazhin.
Sa i përket bashkëpunimit të mundshëm me Vetëvendosjen, kryetari i komunës se Gjilanit ka thënë se ka kontakte të vazhdueshme dhe se krerët e këtyre dy partive janë në komunikim të vazhdueshëm.
Duke folur për krijimin e institucioneve, Haziri nuk pret bllokada institucionale pasi kjo sipas tij është e rregulluar me ligj.
“Fillimisht është në rend konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryeparlamentarit dhe presidenti obligohet më ia dhanë mandatit partisë parë për më formu qeverinë, nëse dështon pastaj pasojnë hapat e radhës”, ka shtuar ai.
Koalicioni PAN në bazë të rezultateve të numëruara deri më tani do të ketë 39 deputetë në legjislaturën e ardhshme.