Haziri: Borxhet dhe pronat e uzurpuara do të trajtohen me prioritet

Prishtinë | 26 Nën 2018 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të hënën seancën e radhës, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, ku ka shqyrtuar dhe miratuar rregulloren për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, rregulloren për tatimin mbi pronën e paluajtshme për vitin 2019, vendimin për themelimin e Komitetit Konsultativ të Ekspertëve të Planifikimit Hapësinor, vendimin për themelimin e Komitetit Konsultativ për Persona me Aftësi të Kufizuar, vendimin për themelimin e grupit punues për hartimin e planit të punës të Kuvendit Komunal për vitin 2019, vendimin për kompensimin e anëtarëve të Komisionit për vlerësimin e ofertave si dhe ka bërë rishikimin e tri vendimeve të miratuara më parë, që kanë të bëjnë me planet rregulluese të hollësishme “Qendra 2”, “Qendra 3” dhe “Lagja e Spitalit”, sipas sugjerimit të MAPL-së, meqë MMPH ka konstatuar se aktet e Komunës janë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Lufti Haziri, kryetar i Komunës, fillimisht ka shprehur solidaritet të plotë me viktimat e dhunës seksuale, gjatë luftës, që është njëra prej dhimbjeve dhe plagëve të cilën shoqëria jonë është duke u munduar ta shërojë në mënyrën e vetë, ka thënë ai.

Ndërkaq sa i përket Zyrës për Preshevë, Medevgjë dhe Bujanoc, që ishte njëra nga pyetjet e këshilltarëve komunalë, Haziri ka thënë se ajo ka funksionuar në bazë të një marrëveshje politike në kuadër të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës dhe tash e një kohë nuk ka qenë funksionale për shkak të një vendimi politik që Lëvizja “Vatra” të bashkohet me partinë “Nisma.

“Në dhjetor ne do të rekrutojmë një shërbyes civil të përhershëm në këtë zyrë, e cila do të trajtojë kërkesat civile të qytetarëve të Luginës së Preshevës”, ka thënë kryetari.

Sa u përket borxheve dhe pronave të uzurpuara, Haziri ka thënë se të dyja këto çështje janë në procedurë për trajtim me prioritet dhe ka paralajmëruar veprime konkret për lirimin e trotuareve dhe hapësirave tjera publike, ku figurojnë 56 uzurpime, sikurse do të trajtohet edhe problemi i borxhit, në mënyrë që të kryhet edhe kjo detyrë me përgjegjësi.

Kurse sa i përket infrastrukturës, kryetari Haziri ka thënë se jemi në fazën e transformimit thelbësor, në mënyrë që të bëjmë dallimin mes asaj që kanë ndërtuar dikur baballarët tanë për nevojat e kohës si dhe asaj që është nevojë e tashme, për një zhvillim dhe transformim të madh infrastrukturor. Edhe në buxhetin e vitit 2019 janë listuar të gjitha programet që janë me interes publik, sipas vendimit të Kuvendit Komunal, ku përfshihet infrastruktura rrugore, kolektorët e ujërave të zeza si dhe ndërtimi i infrastrukturës në lagje dhe fshatra.

Pas realizmit të katër projekteve të mëdha në qytet, që janë të integruar mes vete, hapi tjetër i madh do të jetë krijimi i sheshit të qytetit, ka thënë kryetari Haziri.

Haziri tha se edhe ai pajtohet që Gjilanit i duhet një dinamikë edhe më e madhe në punime, meqë qyteti ka ngecur para në zhvillim për shumë vite, por i rikujtoi këshilltarët komunalë se ngecje ka te disa projekte që financohen nga qeveria.

Ai vuri në dukje edhe problemin e mungesë së kapaciteteve menaxhuese në Komunë, duke thënë se shkaku i këtyre mangësive mund të ketë probleme edhe te shpenzimi i buxhetit të planifikuar për vitin 2019, sa iu përket programeve.

“Nëse punojmë bashkërisht, pa politizuar gjithçka që ndodh në Komunë, ne mund të punojmë më mirë në realizimin e këtyre programeve, në të kundërtën, nëse vazhdojmë të politizojmë gjithçka, atëherë vetëm kemi me humb kohë me njëri-tjetrin dhe asnjë efekt pozitiv nuk kemi me pas, sepse këto janë mundësitë tona”, ka thënë Haziri.

Kryetari Haziri kërkoi që të vlerësohet drejt ajo që është bërë gjatë këtij viti dhe kërkoi që gjithashtu të përgatitemi për të vazhduar me këtë ritëm pune edhe në vitin 2019.

Ndërkaq, Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, i cili është përgjigjur në disa pyetje tjera, sa iu përket subvencioneve, ka thënë se komisionit i ka arritur vetëm një ankesë dhe ajo ka të bëjë me shumën e mjeteve. Sa i përket lumit Mirusha (pjesa e jugut), Ismajli ka kërkuar që të pritet përfundimi i projektit dhe do të bindeni edhe vetë se çfarë pune e mirë është duke u bërë në këtë pjesë, ndërkohë që në lidhje me pyetjen pse në qytetin e Gjilanit nuk ekziston një bust për Sylë Zarbincës, nënkryetari i Komunës ka thënë se kjo do të bëhet më 28 nëntor të këtij viti.

Kryetari Haziri, nënkryetari Ismajli si dhe drejtorët Naser Korça, Selami Xhemajli, Bekim Bajrami, Nevzad Rushiti, Ramiz Ramadani e Sadudin Berisha janë përgjigjur në pyetjet e këshilltarëve Shefik Surdulli, Nevzad Isufi, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Riza Abdyli, Anila Tusha, Ibish Ibishi, Vjollca Matoshi, Arijeta Rexhepi, Bujar Nevzati, Nehat Osmani, Xhelal Hajrullahu, Festa Shabani, Arta Haziri Nuhiu, Shemsedin Elezi dhe të tjerë, që kishin të bënin me subvencionet në kulturë, rini dhe sport, ndërtimet pa leje, rrënimin e disa objekteve të pabanuara në lagjen “Dheu i Bardhë”,  trajtimin e qenve endacakë, asfaltimin e disa rrugicave dhe të tjera.

Një pikë tjetër që ka zgjuar interesim ishte edhe rregullorja për ndarjen e titujve të nderit, e cila ka për qëllim normimin e çmimeve ekzistuese “Beqir Musliu”, “Idriz Seferi” dhe “Agim Ramadani”, por me insistimin e anëtarëve të Kuvendit, pozitë e opozitë, është shtuar edhe një çmim tjetër, ai “Hanumshahe Abdullahu Zymberi”, i cili ka qenë propozim edhe në dëgjimet publike si dhe nga Komiteti për kulturë, rini e sport.

Duke i marrë parasysh edhe vërejtjet tjera, kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini ka thënë se e hedh në votim rregulloren me ndryshimet që kanë të bëjnë me çmimin “Hanumshahe Abdullahu Zymberi”, caktimin e shumës në të holla prej 1.000 euro për secilin nga këto katër çmime, heqjen e kriterit të moshës për fituesit e mundshëm te çmimit “Beqir Musliu” që tani ishte mbi 60 vjeç e sipër si dhe plotësimin e çmimit “Agim Ramadani” me simbolikën e dhënies së këtij shpërblimi.

Sa i përket rregullores për tatimin në pronë, drejtori i Buxhetit Zijadin Maliqi ka sqaruar se ndryshimi i vetëm nga rregullorja ekzistuese është se nga viti 2019 fillon tatimi në tokë, që do të një jetë vlerë përshkallëzuese nga viti në vit. Nga tatimi lirohen tokat e punuara.

Ndërkaq, opozita (PDK e LVV) nuk është pajtuar me miratimin e tri vendimeve që kanë të bëjnë me planet rregulluese të hollësishme “Qendra 2”, “Qendra 3” dhe “Lagja e Spitalit”, të cilat ishin kthyetr për rishikim sipas sugjerimit të MMPH, me arsyetim se nuk janë në përputhje me ligjet. Sqarime kanë dhënë drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami si dhe shefi i sektorit të Planifikimit, Fadil Sherifi, të cilët kanë thënë se në kohën kur janë përgatitur dhe miratuar këto plane, nuk ka pasur hartë zonale, që është vërejtje e Ministrisë dhe Kosova, as tani nuk e ka hartë zonale, por është vepruar sipas planit zhvillimor urban.

Sipas tyre, janë ndjekur të gjitha procedurat e parapara me ligj dhe udhëzim administrativ dhe se vendimi për hartimin e këtyre dokumenteve është dërguar në MAPL, gjatë vitit 2014, kur kanë filluar procedurat dhe nuk ka pasur asnjë vërejte ose sugjerim sa i përket procedimit të mëtutjeshëm.

Kuvendi ka miratuar edhe përbërjen e dy komiteteve të reja, Komitetit të Ekspertëve të Planifikimit Hapësinor (Avdyl Aliu, Shaban Terziu, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Hevzi Xhelili dhe KImete Salihu), përkatësisht të Komitetit për Personat me Aftësi të Kufizuar (Antigona Kçiku, Nehat Osmani, Imrane Thaçi, Zija Ramadani, Diellza Selishta), ku pos subjekteve politike, përfaqësohet edhe shoqëria civile. Partitë e vogla janë shprehur të pakënaqura me këtë përbërje, meqë ato nuk kanë përfaqësim.

Ndërkaq, Grupi punues për hartimin e planit të punës së Kuvendit për vitin 2019, do të jetë i përbërë nga Shpresa Kurteshi-Emini (kryesuese e Kuvendit), Arianit Sadiku (VV), Bujar Nevzati (PDK), Arta Haziri Nuhiu (AAK), Anila Tusha Kastrati (Nisma), Vjollca Matoshi (AKR) dhe Kadir Hysein (KDTP).

Kuvendi është informuar po ashtu edhe rreth projektit të mbulimit të shtratit të lumit Mirusha, regjistrimit të nxënësve në Shkollën e Mjekësisë gjatë muajve tetor e nëntor, pastaj për punimet që janë duke u kryer në stadiumin e qytetit, që ishin kërkesa të opozitës.

Në debat, varësisht prej pikave të rendit të ditës, janë përfshirë me vërejtje dhe sugjerime, edhe këshilltarët Gentrit Murseli, Mimoza Kadriu, Nevzad Isufi, Arta Haziri Nuhiu, Festa Shabani, Nehat Osmani, Riza Abdyli, Fitim Guda, Shefik Surdulli, Shemsedin Elezi, Avdyl Aliu, Buri Berisha, Hevzi Xhelili, Ibish Ibishi dhe të tjerë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme