Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë sot se pa LDK-në dhe pa forcat tjera politike procesi i dialogut do të dështojë.
Haziri në një intervistë për Evropën e Lirë ka folur për takimin e së dielës ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit, duke thënë se ishte një rifillim i një procesi të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që në fakt e konfirmon atë mossukses në këto vitet e fundit.
“…Po ashtu, ky rifillim i ri nuk është premtues shumë për faktin se nuk arritën tri kriteret që LDK-ja i parashtroi kur bëhet fjalë për kriteret udhëheqëse të bisedimeve:ndërtimin e një konsensusi sa më të gjerë politik në Kuvend, i cili do të dilte nga një debat i partive politike dhe, natyrisht, edhe një proces, i cili do të jetë i hapur dhe transparent për qytetarët dhe në mënyrë që një marrëveshje obliguese që pritet të dalë, ta ketë mbështetjen e shumicës politike në Republikën e Kosovës”, tha Haziri.
Sipas tij, pa LDK-në dhe pa forcat politike në Kuvendin e Republikës, ky proces nuk mund të jetë i suksesshëm. Ai tha se nuk beson që procesi i normalizimit që çon drejt pajtimit arrihet me këtë fazë të bisedimeve.
“Sido që të jetë, ne i kemi të qarta tri propozimet, apo tri kriteret që i ka vendosur LDK-ja, pa të cilat nuk ka alternativë që mund të zëvendësohen. Ne presim një debat parlamentar që e përcakton formatin, pra kush është përfaqësuesi apo kush janë përfaqësuesit që përcaktojnë kriteret e bisedimeve apo i konfirmon kriteret nëse mund të themi tash, të bëhen transparent për publikun. Natyrisht, sa më i hapur procesi në këtë nivel që është, Kuvendi dhe roli i tij kushtetues do t’i jepte fuqi absolute, edhe delegacionit, edhe bisedimeve, dhe një marrëveshjeje eventuale, e cila pritet të ndodhë nga palët”, tha Haziri.
Ai tha se presidenti Thaçi po e shfrytëzon mekanizmin kushtetues dhe ky mekanizëm kushtetues i jep legalitet.
“…Por, ne po flasim për një legjitimitet, i cili do të ndërtonte konsensus politik brenda partive. Faktikisht, ky mekanizëm është aktivizuar në raundin e parë apo takimin e parë të bisedimeve, por që edhe më tutje edhe si nevojë e oksigjenit politik domosdo do të ishte që të ndërtohet një konsensus sa më i gjerë politik dhe një Kuvend i Republikës, i cili mund, dhe duhet të ketë rol kushtetues, rol mbikëqyrës në këtë proces dhe në fund e merr edhe ratifikimin edhe vulosjen e këtij procesi. Në të kundërtën, pa LDK-në dhe pa partitë opozitare, procesi është i destinuar të dështojë”, u shpreh ai.
Nënkryetari i LDK-së duke folur për punën e Kuvendit tha se tashmë i ka plotësuar kushtet që të hyjë në Librin e Ginisit (Guinness).
“Unë besoj se Kuvendi i Republikës tashmë i ka plotësuar kushtet që të hyjë në Librin e Ginisit (Guinness). Katërmbëdhjetë seanca i ka të ndërprera, fillon e rifillon seanca pa e përfunduar, pa votuar, pa kuorum, në një menaxhment dhe menaxhim jashtëzakonisht shqetësues dhe për ne, në fakt i bie edhe ofendues. Një kryetar i Kuvendit dhe një Kryesi e Kuvendit, e cila nuk e harmonizon rendin e punës, e cila nuk e çon deri në fund rendin e punës dhe nuk sjell vendimmarrje dhe e ka sjellë krejt Kuvendin e Republikës në pikëpyetje, jo vetëm për imazh të Republikës sonë, por edhe kredibiliteti ndërkombëtar i saj është zbehur dhe kredibiliteti i saj vendimmarrës po zbehet”, u shpreh Haziri.
Nënkryetari i LDK-së po ashtu ka folur rreth dorëheqjes së Qeverisë.
“Në fakt, nuk kemi të bëjmë me kërkesë politike për dorëheqje, ne kemi përmendur përmes instancave tona se Qeveria do t’i bënte mirë vendit që të dorëhiqej, sepse është pakicë politike në Kuvend. Por, ata nuk janë duke e dëgjuar thirrjen tonë. Me vetë faktin se janë pakicë politike, në mes të kësaj pakice, kanë edhe pakica kombëtare që janë të lidhura me agjenda jashtë Kosovës, qofshin ato në Beograd, në Ankara apo dikun tjetër, që po shihet deri vonë ka qenë nga jashtë Prishtinës. E kam të qartë stabilitetin dhe disa probleme që kjo Qeveri i ka aktualisht, sidoqoftë janë pjekur kushtet për të diskutuar, disa oferta janë në tryezën e partive politike – ka të bëjë me ndërtimin e një agjende të përbashkët për të mos e penguar Kosovën që të ecë përpara dhe paralelisht të bisedohet edhe për një datë eventualisht të hershme të zgjedhjeve (ose mbledhjeve), e cila është interes i përbashkët, pra mundësisht të arrihet një konsensus”, u shpreh Haziri.