Haziri: Familja Jashari është rast unik në botë për një sakrificë familjare

Prishtinë | 05 Mar 2018 | 11:44 | Nga

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të hënën mbledhje solemne, në nderim të epopesë së UÇK-së, ku kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka thënë se sot shënojmë bashkërisht ditët më të mëdha dhe më të dhimbshme të popullit të Kosovës.

“Familja Jashari shënon sot kthesën e madhe të rezistencës politike, rezistencë kjo e cila ka kulmuar me kryengritjen e shqiptarëve të Kosovës në mbrojtje të pragut të shtëpisë. Këtë kryengritje politike dhe këtë sakrificë për mbrojtje të pragut të shtëpisë, familja Jashari e ktheu në kryengritje ushtarake dhe mbrojtje popullore, që rezultoi me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si formacion ushtarak, i cili luftoi deri në çlirim”, tha Haziri.

“Është rast unik në botë që një sakrificë, pos që ka shkaktuar kryengritje popullore, ka rezultuar edhe me sukses, sepse historia njeh edhe sakrifica në vende të tjera, por që kanë dështuar në realizimin e qëllimit. Kjo kryengritje është shpaguar me lirinë e Kosovë, me ditët e bardha që Kosova po i gëzon sot,  ndonëse jo në gjithë territorin e saj, jo me liri të plotë, jo me sovranitet të plot dhe jo me demokraci të plotë”.       

Ndërkaq, Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka theksuar se historia e marsit, aq sa na sjellë kujtime të trishta, me vete sjellë dhe porosi të mëdha, që të punojmë e të angazhohemi për ndërtimin e shtetit, për promovimi e paqes kudo, duke krijuar kështu një të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt për të gjithë.     

Një referencë të zgjeruar për epopenë e UÇK-së dhe rëndësinë e saj, e ka paraqitur Naim Musliu, kryetar i Lidhjes së Historianëve të Kosovës në Gjilan.   

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme