Heqja e taksës 100 për qind për produktet e Serbisë, është pjesë e marrëveshjes politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kështu ka thënë nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetar i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Haziri në një intervistë për Ekonomia Onlilne, ka thënë se i japin mbështetje Kurtit në realizimin e kësaj politike të re, ku sipas tij është në harmonizim me bashkësinë ndërkombëtare, e veçanërisht shtetet e Quint-it.
“Është pjesë e marrëveshjes politike jo vetëm çështja e tarifës si vendim marrje e trashëguar nga ish-qeveria por edhe në programet tona parazgjedhore. Ne e kemi shpalosur të dy partitë tona politike por edhe në marrëveshjen të koalicionit, është politikë e harmonizuar dhe e mbështesim kryeministrin Kurti në realizimin e kësaj politike të re e cila tash në harmonizim me bashkësinë ndërkombëtare veçanërisht grupin e QUIN-it. Sa më shpejtë aq ma mirë pasi prioritetet janë të larta sa i përket regjionit ku ne jetojmë”, ka thënë Haziri
Vendimet e qeverisë Kurti për shkarkimet në borde, Haziri i quan të pritshme dhe në përputhje me ligjin, pasi që konsideron se shumica e këtyre emërimeve kanë ndodhur në kohë sa qeveria Haradinaj ishte në dorëheqje.
“Natyrisht është e pritur unë besoj që është në përputhje me ligjin dhe në harmoni të ligjeve të zbatueshme në Kosovë dhe në koordinim të plotë në kabinet qeveritarë. Këto janë masa që janë të harmonizuara në mes të partnerëve por që duhet të tregohemi të kujdesshme në mënyrë të mos lëndohet ligji, një numër i vendimeve që kanë bërë emërime gradime dhe avancime në detyrë në periudhën zgjedhore dhe paszgjedhore por bordet dhe organet menaxhuese sipas ligjeve, vendimet janë në frymën e auditorit të pavarur sepse gjetjet e tyre janë obligative për institucionet.
Haziri ka folur edhe për emërimet e zëvendësministrave në qeverinë Kurti, ku shton se emërimet tjera do të ndodhin javën tjetër.
“Në bazë të ekspertizës dhe mbi parime kryesore që kanë udhëhequr vendimmarrjen në kryesinë e LDK-së. Në këtë frymë, kryetari i LDK-së, ka vendosur që emërimet e dyta në qeveri të jenë këta, javën tjetër besojmë se do të vazhdohet me plotësimin e pozitave të zëvendësministrave në qeveri dhe natyrisht do të ketë emërime tjera në niveleve të ndryshme politike në mënyrë që të formohet kabineti qeveritar dhe me marr mbi vete agjenden programore për zbatim”, ka thënë ai.
E skandalin që e kaploi vendin rreth njohjes apo jo të shtetit të Xhamajkës, Haziri e konsideron si të natyrshme.
Madje, sipas tij, këto gjëra ndodhin edhe në vendet të ndryshme. Thotë se kjo gjë nuk duhet të shihet si skandal por vetëm si lajm të rrejshëm.
“Mund ta klasifikoj si error njerëzor, ndodhin edhe në diplomaci por edhe në administrata në vende të ndryshme. Nuk jam prej atyre që e shoh far skandali, mund të jetë një lajm i rrejshëm në të cilën kemi rënë njëri pas tjetrit por që më shumë e quaj gabim njerëzor sesa diçka tjetër. Unë besoj se Xhamajka është njëra prej vendeve dashamire të Kosovës edhe pse nuk e ka njohu, është punuar shumë me atë shtet e sidomos nga Kongresmeni Eliot Engell që është kryesues i Komitetit të Jashtëm në Kongresin amerikan dhe nga shumë diplomatë e miq të Kosovës dhe besoj se do të përballohet lehtë. Mendoj që duhet me nxjerrë një mësim për herëve tjera, asgjë më shumë”, ka thënë ai.
Lajmin për njohjen nga shteti i Xhamajkës e bëri të ditur ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.