Është bërë më shumë se një muaj qysh kur Kosova ka mbetur pa president. Me shkuarjen e ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, Vjosa Osmani është vënë në këtë pozitë si ushtruese detyre.
Por çështja se kush do të jetë pasardhësi i Thaçit është bërë “mollë sherri” në mes të partive politike në vend. Madje kjo çështje duket se do të përçaj edhe koalicionin qeverisë.
Ani se lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa është zotuar se do ti ftojë partitë politike në një tryezë diskutimi për këtë çështje, subjektet politike kanë filluar që të vënë kushte për pjesëmarrje.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se janë në pritje të marrjes në konsideratë se presidenti duhet të jetë nga PDK-ja.
“Si Parti Demokratike e Kosovës e kemi thënë sapo jemi ftuar për tu bërë pjesë e këtyre diskutimeve që në momentin që ne ftohemi në këto diskutime presim që të merret në konsideratë emri i presidentit nga radhët e PDK-së”, është shprehur Deliu Kodra dje.
Ndaj kësaj deklarate i ashpër është treguar nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri. Ai tha për Express se tani nuk është koha e kushtëzimeve por e kompromiseve të mëdha.
“Tryeza e partive politike nuk mund të mbahet nën kushtëzime. Tryeza e partive politike bëhet pa kushte ku të gjithë liderët e partive politike dakordohen dhe ulen që të bisedojnë. Nuk mund të ketë dialog të brendshëm me kushtëzime. Nëse PDK-ja kërkon për një emër, AAK-ja e ka një emër të saj, partia e tretë nuk ka emër, partia e katërt mundet me pas një emër kështu që nuk është koha e ultimatumeve por është koha e kompromiseve të mëdha”, ka thënë ai.
Në ndërkohë të vetmit që po insistojnë me ngulm që lideri i tyre të jetë president, janë anëtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Anëtari i kryesisë së kësaj partie Rasim Selmanaj ka thënë për Express, se Ramush Haradinaj është emri i vetëm që kjo parti e njeh për president.
“Ne e kemi edhe qëndrimin edhe propozimin tonë që Ramush Haradinaj të jetë president i vendit. Jemi të gatshëm që me biseduar për këtë temë. Ne po presim që të reflektojnë partitë e tjera politike dhe mbetet të shohim se çfarë do të ndodh”, ka thënë Selmanaj për Express.
Kujtojmë që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga pozita e tij si president, pasi që u njoftua se është akuzuar për krime lufte.
Sipas Kushtetutës detyrën e presidentit është duke e ushtruar, kryeparlamentarja Vjosa Osmani.
Ajo ka të drejtë që këtë detyrë ta ushtrojë për gjashtë muaj.