Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka theksuar se partia e tij “do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme më 11 qershor”, pavarësisht nga ‘bojkotimi’ i takimit me presidentin Thaçi.
LDK nuk pranoi të dërgonte përfaqësues në takimin konsultativ për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme, të thirrur nga presidenti Thaçi, bazuar në një arsyetim “se nuk e njeh atë pas prishjes së marrëveshjes së koalicionit qeverisës”.
“Ne nuk e kemi diskutuar ende [çështjen e zgjedhjeve]. Por data e zgjedhjeve është çështje e Presidentit dhe ne marrim pjesë në zgjedhje. Mospjesëmarrja jonë [në takim me Presidentin Thaçi] nuk ndërlidhet me asgjë”, tha Haziri në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përcaktuar 11 qershorin datë të zgjedhjeve të parakohshme, pas takimit konsultativ me partitë politike parlamentare në të cilin LDK-ja ka refuzuar të marrë pjesë.
Zgjedhjet e parakohshme u përcaktuan pas një mocioni të mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës në Kuvend, të paraqitur nga partitë në opozitë dhe që kaloi me shumicë votash, mbështetur edhe nga deputetët e koalicionit qeverisës, nga radhët e PDK-së.
Pas rënies së qeverisë Presidenti, të mërkurën, me dekret ka shpërbërë Kuvendin, ndërkohë që pas konsultave me partitë politike, një ditë më vonë, vendosi mbi datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës ndërkaq tha se ‘marrëveshja politike me PDK-në, partner koalicioni, është prishur dhe prandaj nuk e njeh as edhe presidentin Thaçi, që u zgjodh mbi bazën e kësaj marrëveshjeje’.
LDK dhe PDK arritën marrëveshjen e koalicionit qeverisës në fund të vitit 2014, pas një bllokade prej gjashtë muajsh që futi vendin në krizë politike.