Njoftimi nga Qeveria gjermane se lideri opozitar rus, Alexei Navalny, ishte helmuar me një agjent të sofistikuar nervor i njohur si “Novichok”, i jep përmasa shumë më serioze sesa ishte menduar fillimisht.
E më e rëndësishmja do të ngrejë dyshimin se pavarësisht mohimeve, shteti rus ishte prapa helmimit të tij.
Agjent i laboratorit sovjetik
“Novichok” – që ka kuptimin e diçkaje të re në rusisht – është pjesë e një grupi të agjentëve të prodhuar në mënyrë sintetike së pari në Bashkimin e dikurshëm Sovjetik, në një laborator në Uzbekistan, para prishjes së ish-superfuqisë sovjetike më 1991.
Agjencitë perëndimore të inteligjencës besojnë se “Novichok” është kthyer prej atëherë në një armë vrasëse me teknika të avancuara të ushtruara nga agjentët e GRU-së, inteligjencës ushtarake ruse. “Novichok” mund të prodhohet në formë të lëngshme dhe të ngurtë.
Dhe besohet se dy prej këtyre agjentëve kanë helmuar dezertorin rus, Sergei Skripal, dhe të bijën e saj në Salisbury më 2018, me përdorimin e “Novichokut”. Dawn Sturgess, banor vendas britanik, vdiq pastaj pasi kishte mbajtur në duar përmbajtje të kësaj substance të hedhur në shishe parfumi të përdorur për ta maskuar agjentin nervor, shkruan KOHA Ditore.
Qeveritë perëndimore reaguan fuqishëm ndaj kësaj tentimvrasjeje në tokën britanike. Në një lëvizje të koordinuar bashkërisht, 20 shtete dëbuan me dhjetëra diplomatë dhe spiunë rusë. Kjo u konsiderua goditje e fuqishme kundër rrjeteve ruse të inteligjencës.
Reagim krejt tjetër
Madje edhe agjentët e mbuluar në tokën e Britanisë së Madhe, për të cilët Moska besonte se po vepronin të padetektuar nga shërbimi sekret britanik MI5, u urdhëruan që të largoheshin nga territori i shtetit ishullor.
Ky ishte një reagim krejt tjetër krahasuar me kundërvënien e butë të Qeverisë britanike – përherë të kritikuar – ndaj helmimit të ish-agjentit të KGB-së Alexander Litvinenko më 2006. Pas vdekjes në agoni në një spital britanik, ish-koloneli rus i helmuar u konsiderua tradhtar nga Kremlini. Rasti u hetua për vite me radhë, megjithëse dy rusë të dyshuar për helmimin vazhdojnë të jetojnë në arrati në Rusi.
Kritikët besojnë se mungesa e kundërvënies së vendosur të Perëndimit ka inkurajuar njerëzit e linjës së ashpër në Kremlin, që t’i ndëshkojnë caqet e tyre jashtë Rusisë vetëm pse konsiderohen tradhtarë të shtetit rus.
Sot, Alexei Navalny ka me bollëk armiq. Si një aktivist i vendosur në luftën kundër korrupsionit, ai kishte rrokur vëmendjen e miliona të rinjve, por edhe zemëroi ata njerëz që me aktivitetin e tyre kriminal brenda sistemit ia kanë dalë të përfitojnë pandershmërisht favore. Navalny rroku vëmendjen e opinionit rus me videot që ekspozonin keqpërdorimet e zyrtarëve. Dhe ka shumë njerëz brenda Qeverisë dhe ekonomisë së zezë që duan ta heqin qafe njëherë e përgjithmonë. Nuk duan që ai të jetë pjesë e sferës së jetës publike.
Por, “Novichoku”, ndryshe nga toksinat e tjera, nuk mund të prodhohet nga njerëz amatorë. Është armë kimike e nivelit ushtarak, që shumëkujt ia ka mbushur mendjen se gishtin e fajësisë duhet drejtuar kah shteti rus.