Hendeku mes arsimimit dhe tregut të punës, mungesa e statistikave për profilet që nevojiten

Prishtinë | 18 Kor 2021 | 08:04 | Nga Majlinda Ibrahimi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Kosovë mungojnë statistikat për profilet që nevojiten në tregun e punës. Prandaj nga komuniteti i arsimit kërkojnë që të bëhet një strategji nacionale për informimin e nxënësve karshi kërkesave të tregut të punës, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Institutit për Studime të Arsimit “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha në një bisedë me Ekonomia Online se studentët po regjistrohen në drejtime ku kërkesa është inekzistente.

“Fatkeqësisht ne na mungojnë statistikat se kush është nevoja e vërtetë e tregut për profile, e kush është kapaciteti absorbues për profilet e caktuara, dhe në mungesë të kësaj pastaj studentët vazhdojnë të regjistrohen tutje për profilet të cilat kërkesa është inekzistente. Në anën tjetër shumë profile tjera kemi në mungesë”.

“Pra korrigjim për këtë situatë do të ishte një strategji nacionale në të cilën orientohet edhe vet studenti se kush është perspektiva për treg të punës dhe të mos i lejohet pastaj përzgjedhja dhe rrugëtimi në karrierë, hamendësimeve dhe keqinformimeve që marrin të rinjtë dhe pastaj ju dëshmohet si e kundër pas diplomimit”.

Po ashtu edhe, Ismet Potera nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, thotë se të rinjtë duhet të informohet më shumë për kërkesat e tregut të punës.

“Është problematike kjo sidomos te orientimi me kohë i nxënësve për profesionet e ndryshme ku ende tek ne ekziston njëfarë mendësie se të gjithë duhet të shkojnë nëpër gjimnaze të studiojnë, sepse nxënësit tanë nuk e dinë që gjimnazet përgatisin nxënës për studime jo për tregun e punës, kështu që duhet edhe shkollat edhe institucionet të merren me këtë informim dhe orientim te nxënësve se çfarë i pret nesër”.

“E dyta, duhet të forcohet arsimi profesional. Sidomos arsimi profesional, shkollat e mesme profesionale ku nxënësi pasi ta ketë kryer një profesion të mos mendoj vetëm për studime por të gjej një vend pune pas kryerjes së shkollës mesme. Kjo është një problematik e cila është një problem ndërministror nuk mund të caktoj vetëm ministria e Arsimit, por edhe e Punës, të cilat do të duhej të merren me këtë çështje, sidomos është problematike praktika e mësimit dual qysh e bëjnë në vendet e tjera, ku nxënësit përgatiten teorikisht por aspektin praktik e bën në ndërmarrje”.

Në anën tjetër, nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës (SBAShK), Vjollca Shala, tha se janë duke punuar që të organizohen drejtime karshi kërkesave të tregut të punës.

“Jemi në vazhdimësi në kontakt me Ministrinë e Arsimit dhe natyrisht edhe ne por edhe shkollat profesionale po bëjnë përpjekje që të organizohen drejtime varësisht prej kërkesave të tregut të punës kështu që ne e përkrahim si SBAShK që shkollat profesionale të hapin drejtime karshi tregut të punës”.

Të ngjashme