Hendeku që po krijohet ndërmjet pagës mesatare në sektorin publik dhe atë privat

Prishtinë | 22 Maj 2022 | 10:15 | Nga Afrim Kasolli

Me të drejtë shumë analistë e potencuan diferencën që po krijohet gjithnjë e më shumë ndërmjet pagës mesatare në mes sektorit publik dhe atij privat.

Vazhdimi i kësaj praktike paraqet thellim të pabarazive dhe krijim të disbalancave të pariparueshme ekonomike dhe shoqërore.

Mos të harrojmë sektori privat krijon të ardhura, ai publik konsumon.

Në të parën njerëzit janë punësuar nga nevojat e investitorit dhe meritat e të punësuarave, apo të vetëpunësuar.

Në të dytin shumica janë të punësuar nga nevojat e partive politike për të prodhuar kilentele partiake.

Të parët janë të dobishëm për gjatë gjithë vitit, kurse shumica (jo të gjithë) e pjesës së dytë janë të dobishëm vetëm për fushata elektorale.

I pari krijon punëtorë, i dyti militantë.

Prandaj, edhe të parët janë të shkapërderdhur nëpër vendet e tyre të punës duke menduar se si t’i mbajnë familjet e tyre me bukën e gojës, kurse të dytët janë të organizuar partiakisht.

Me këtë qasje punëtorët e sektorit privat shumë shpejt do të detyrohen që ta mbajnë vetën në një gjendje gjithnjë e më të mjerë, me qëllim që t’ua sigurojnë mirëqenien militantëve të partive politike në sektorin publik, vetëm pse na sundojnë, dominojnë dhe drejtojnë.

Kjo është fytyra e një lloj “kapitalizmi shtetëror” që është kultivuar në Kosovë nga mentaliteti qeverisës i deritanishëm, pa përjashtim.

Fatkeqësia është se ai po mbështet nga të vetëquajturat parti të djathta, për qëllime politike.

Të ngjashme