Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përmes kësaj kumtese informon opinionin e gjerë në lidhje me të vërtetën për pretendimin e heqjes së qëllimshme të Flamurit Kombëtar nga Salla e Senatit në Rektoratin e UP-së.
“Si pasojë e një veprimi aksidental dhe të marrë në mënyrë vetjake, pa u konsultuar me asnjë anëtarë të menaxhmentit të UP-së, nga zyrtarja e arkës, znj. Zelfije Abdyli, vatra kryesore e dijës në këtë vend po përballet me akuza të rënda dhe keqinterpretim veprimi nga disa medie dhe individë të caktuar. Përkundër këtij rasti tërësisht të paqëllimshëm, Ne u sigurojmë që Menaxhmeti i UP-së, e ka trajtuar këtë rast dhe ka marrë masat e duhura në lidhje me të”, thuhet në kumtesë.
Në anën tjetër, Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës ndjehet i fyer nga këto akuza në lidhje me pretendimin për heqje të qëllimshme të Flamurit Kombëtar, kur dihet që këtë simbol të shenjtë shtetëror e mbanë me krenari në zyrën e tij rektori Marjan Dema, si dhe ky flamur simbol i lirisë kombëtare valëvitet në secilën pjesë të kampusit të Universitetit më të vjetër në vend.