Si bletët në koshere “vlojnë” nxënësit në shkollën e mesme “Gjon Buzuku”, në Prizren. Gjimnazi, që ka histori të gjatë, ka bërë nam në qytetin e vjetër, e është shkolla më e lakmueshme nga të rinjtë e kësaj ane, shkruan sot “Koha Ditore”.
Krahas kësaj, është objekti madhështor ai që ia mbulon anën tjetër të medaljes, për ta kompletuar si institucion ku ruhen vlera, historia e trashëgimia. Objekti u ndërtua në gjysmën e parë të shekullit XX. Në pjesën më të madhe gjatë historisë së tij u shfrytëzua si shkollë.
Shkurt, gjermanët e Luftës së Dytë Botërore e shndërruan në kazermë e burg. Gjithë udhëpërshkrimin e saj në pika të shkurtra e tregon profesori i historisë në këtë shkollë, Beqir Letaj. Ai ka studiuar gjatë në arkiva për rrugëtimin e shkollës.
Prej një pushteti në tjetrin
Letaj tregon se kërkesën për ta ndërtuar shkollën e ka bërë Banovina e Vardarit, duke treguar faktin se Prizreni në vitin 1932 ishte pjesë e saj, në kuadër të Mbretërisë Jugosllave.
“Pra, shkolla është ndërtuar me dekret të mbretit Aleksandër Karagjorgjeviq. Paralelisht është marrë iniciativa për ndërtimin e dy objekteve. Ajo që tash është sallë e edukatës fizike, fillimisht kishte shërbyer si sallë e valltarëve”, thotë Letaj.
Sipas tij, shkolla ka filluar të ndërtohet në vitin 1932.