“Homofobët s’kanë vend n’Kuvend”, ndërpritet mbledhja e Komisionit për të drejta të njeriut

Prishtinë | 07 Shk 2024 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut (YIHR KS), nëpërmjet një aksioni ka ndërprerë mbledhjen e Komisionit për të drejta të njeriut në Kuvend duke kërkuar dorëheqjen e kryetares së këtij Komisioni deputetes Duda Balje dhe anëtares Labinotë Demi-Murtezi.

Në një njoftim për media në të cilin ata kanë dërguar edhe një video të aksionit shihen duke mbajtur parullat ku shkruhej “Homofobët s’kanë vend n’Kuvend”. Ata gjithashtu kanë vendosur në tavolinën e Baljes një flamur të komunitetit LGBTIQ+ si dhe kanë fishkëllyer.

“Duda Balje publikisht deklaroi përsëri që i qëndron prapa gjuhës së saj përjashtuese dhe diskriminuese ndaj personave LGBTIQ+ nën pretekstin klasik se ‘është mendimi im personal’. Këtë deklaratë e bëri sot në diskutimin që u mbajt në Kuvendin e Republikës së Kosovës me temën ‘Gjendja aktuale në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë’”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate për këtë aksion.

Sipas tyre “është skandaloze dhe jashtëzakonisht shqetësuese që një deputete e Kuvendit, njëherit kryetare e Komisionit për të drejta të njeriut, nuk e kupton parimin bazë mbi të cilin duhet të funksionojnë këto pozita publike – të drejtat e njeriut janë universale dhe personat LGBTIQ+ meritojnë të drejta të barabarta”.

Për këto deklarata publike sipas tyre Balje duhet të jep dorëheqje të menjëhershme nga pozita e kryetares.

Ata kanë kërkuar që edhe deputetja Labinotë Demi-Murtezi të japë dorëheqje.

“Diskriminimi vazhdon nga deputetja Labinotë Demi-Murtezi, prezente në këtë takim, që publikisht deklaroi që “personat LGBTIQ+ shpërndajnë sëmundje”, deklaratë të cilin e kemi dëgjuar nga ajo edhe në seancën e 16 marsit të vitit 2022”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre “kjo shpifje dhe gjuhë e urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+ është e papranueshme dhe kërkon adresim të menjëhershëm nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës”.

“Aksioni i sotëm e detyroi Duda Baljen ta lëshoj takimin të cilin vetë e ka organizuar. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Duda Balje nga Komisioni i Drejtave të Njeriut. Kërkesa është e njëjtë edhe për deputeten Labinota Demi-Murtezi”, thuhet në njoftim.

Më herët Balje dhe Demi-Murtezi janë deklaruar kundër projektkodit civil i cili dështoi të miratohej në mars të vitit të kaluar. Si arsye u përmend pika e dytë e nenit 1138, që lejon bashkësitë civile mes personave të seksit të njëjtë.

Të ngjashme