Prodhuesi i njohur i veturave, Honda, do t’i japë fund linjës së veturave me motorë me djegie deri në vitin 2040, teksa synon që deri më 20250 të ketë vetëm vetura që mbrojnë ambientin duke mos liruar fare dyoksid karboni.
Presidenti i kompanisë, Toshihiro Mibe, ka dhënë detaje të synimeve ambicioze në një konferencë për media, ku shprehi zotimin se kompanisë “drejt avancimeve që do të bëhen në mobilitet, fuqi, energji e robotikë”.
Deri më 2050, Honda synon të neutralizojë të gjitha “produktet dhe aktivitetet” që kanë të bëjnë me emetim të karbonit, për të kaluar në tërësi në zhvillimin e veturave të mira për ambientin.
Brendi po ashtu ka konfirmuar se do të ofrojë vetura të elektrifikuara në Evropë deri në fund të vitit 2022. Deri më 2030, Honda planifikon që 40 për qind e shitjeve të kompanisë të jenë vetura tërësisht elektrike, duke e rritur përqindjen në 80 deri në vitin 2035 dhe 100 për qind deri më 2040.
Kompania ka konfirmuar se në gjysmën e dytë të dekadës aktuale do të lansojë një seri veturash elektrike që do të arrijnë fillimisht në SHBA, e më pas do të dalin në rajonet të tjera. Këto vetura do të krijohen në platformën “e:Architecture”.
Prodhuesi ka thënë se do të investojë rreth 40 miliardë euro në hulumtime dhe zhvillim në gjashtë vitet e ardhshme.