Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar lidhur me gjendjen e furnizimit me energji elektrike në Kosovë, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe pasojë të keqmenaxhimit shumëvjeçar të sektorit energjetik.
Në një postim, Hoti ka theksuar se dje situata ka qenë veçanërisht e rëndë në shumë fshatra të Rahovecit dhe në qytet, ku “me orë të tëra nuk ka pasur furnizim me energji elektrike”, ndërsa sipas tij, e njëjta gjendje “me gjasë është edhe në rajone të tjera të vendit”.
“E kemi ngritur në vazhdimësi këtë problem, por situata nuk po përmirësohet. Papërgjegjësi totale. Menaxhimi i situatës nga ana e KEDS-it është i papranueshëm”, ka shkruar Hoti.
Ai ka vlerësuar se ndërprerjet e shpeshta të energjisë po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe ekonominë, sidomos në ditët e dimrit dhe prag të festave të fundvitit.
“Pasiguria e furnizimit me energji elektrike çrregullon çdo planifikim familjar. Bizneset detyrohen të ndërpresin punën apo të punojnë me kosto të rritura”, ka theksuar ai.
Hoti ka akuzuar qeveritë aktuale për mungesë investimesh dhe ndërprerje të projekteve strategjike. Sipas tij, “pesë vite pa asnjë kapacitet të ri energjetik” kanë çuar vendin drejt importit masiv të energjisë.
Ai ka përmendur disa vendime kyçe që, sipas tij, kanë dëmtuar sektorin:
• “Marrëveshja e Uashingtonit nuk është zbatuar dhe, rrjedhimisht, centrali me gaz nuk u ndërtua.
• Kontrata për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ u anulua dhe shteti u detyrua të paguajë 20 milionë euro penalti.
• Çmimi i energjisë elektrike u rrit disa herë, duke rënduar koston e jetës së qytetarëve.
• Rreth 1000 biznese u nxorën në tregun e hapur energjetik pa përgatitje, duke u furnizuar me energji deri tri herë më shtrenjtë.”
Sipas Hotit, pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre vendimeve është rritja e kostove të prodhimit dhe e çmimeve për konsumatorët.
“Importi i energjisë këtë vit ka arritur afër 1 miliard euro, të paguara nga qytetarët dhe bizneset përmes tarifave të rritura”, ka deklaruar ai.
Hoti ka ngritur disa pyetje që, sipas tij, kërkojnë përgjigje institucionale.
“Si mund të arsyetohet kjo situatë? Kush ka interes nga bllokimi i zhvillimit të sektorit energjetik në Kosovë? Pse janë rritur tarifat tri herë dhe pse bizneset u nxorën në treg të hapur pa përgatitjet e nevojshme?”
“Këto janë çështje që duhet të marrin përgjigje dhe do të marrin përgjigje”, shtoi Hoti.