Hoti: Certifikohen 33 zyrtarë të punësimit, do të ofrojnë shërbime më cilësore për qytetarët

Prishtinë | 21 Kor 2026 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Hoti, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për programin “Job Placement Counselling”, ku u certifikuan 33 zyrtarë të punësimit.

Sipas Hotit, certifikimi i tyre synon rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, duke theksuar se zyrtarët e punësimit janë kontakti i parë institucional për mijëra qytetarë që kërkojnë punë.

Ai vlerësoi se, përveç njohurive profesionale, zyrtarët duhet të kenë aftësi të mira komunikimi, empati dhe një kuptim të thellë të nevojave të tregut të punës.

“Investimi në njerëzit që çdo ditë i ndihmojnë qytetarët të gjejnë një vend pune dhe të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt për veten dhe familjet e tyre është investim në zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, ka deklaruar Hoti.

Gjatë ceremonisë, ministri falënderoi profesorët gjermanë Prof. Dr. Bernd-Joachim Ertelt dhe Prof. Michael Scharpf për kontributin e tyre në program, si dhe partnerët gjermanë GIZ, INfaBW dhe Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Agjencisë Federale të Punësimit të Gjermanisë për mbështetjen në ngritjen e standardeve profesionale të shërbimeve të punësimit në Kosovë.

Hoti shprehu mirënjohje edhe për Universitetin e Prishtinës për bashkëpunimin në këtë proces, ndërsa zyrtarëve të sapocertifikuar u uroi suksese në angazhimin e tyre profesional.

Të ngjashme